Barcelona ka hedhur hapin vendimtar drejt titullit kampion duke mundur me shifrat 2-0 Atletiko Madrid në ndeshjen direkte mes dy skuadrave që mbajnë vendet e para në klasifikim, duke çuar tashmë në 11 pikë diferencën mes dy ekipeve kur mbeten edhe 7 javë për t’u luajtur në La Liga.
Atletiko kishte shkuar për të rihapur kampionatin në “Kamp Nou”, por u ndëshkua nga një veprim i pakontrolluar i Diego Kostës, i cili pas një faulli në mesfushë shau gjyqtarin e u ndëshkua me kartonin e kuq. Një moment nervozizmi të pashpjegueshëm i cili kushtëzoi ndeshjen e madrilenëve pasi u desh të mbroheshin me forca të shumta me një lojtar më pak në fushë.
Ata rezistuan mirë në pjesën e parë ndërsa në të dytën krijuan me kundërsulm mundësinë për të shkuar në avantazh, kurse nga ana tjetër Oblak bënte pritje pas pritje për të mbajtur ekipin në lojë. Por kur të gjithë mendonin se kjo ndeshje po shkonte drejt barazimit, Suarez dhe Mesi në minutat 85 dhe 87 të duelit i dhanë suksesin ekipit katalanas me dy kryevepra, për të siguruar fitoren 2-0 që praktikisht i vë kapakun luftës për titullin kampion.