Këtë të dielë, kryeministria ka reaguar për sulmin kibernetik ndaj shërbimeve publike online dhe faqeve qeveritare duke thënë se nuk ka ndodhur kurrë më parë, por po punohet për të penguar cënimin e sistemit të informacionit.
“Shqipëria është gjendur ditën e sotme nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Për të mos lejuar që kjo goditje të dëmtojë sistemin tonë të informacionit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka mbyllur përkohësisht aksesin e shërbimeve publike online dhe faqeve të tjera qeveritare. Sistemet qeveritare do të qëndrojnë të mbyllura deri në neutralizimin e sulmeve armike, teksa AKSHI po punon me ekipin e Microsoft, me ekipin e Jones Group International dhe kompanitë shqiptare në fushën TIK, për të penguar cënimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal”.