Gazetari Dashamir Biçaku ka folur nga Franca për tirananews.al lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Nicë ku mbeten të vrarë tre persona. Biçaku deklaroi se autori që vrau tre persona në një kishë ka thirrur në gjuhën arabe “Allahu Hakbar” dhe se policia është e bindur se bilanci mund të kishte qenë edhe më i rëndë nëse nuk do të ishte ndërhyrë shpejt. Ai thekson se ngjarja në Francë duhet të shërbejë si një mesazh edhe për vendin tonë për të ruajtur harmoninë fetare.
Z. Biçaku si ndodhi sulmi i fundit terrorist sot në një kishë të Nices?
Ju falënderoj për interesin që tregoni me qëllim për t’iu treguar lexuesve shiptarë për ngjarjen tragjike që ndodhi mëngjesin e të enjtes me 29 tetor në bazilikën e Notre Dame (Zonja Jonë apo Zonjë së Mirë) të Nicës. Ngjarja duhet të shërbejë sipas mendimit tim për të ruajtur harmoninë fetare në vendin tonë dhe sipas mendimit tim shqiptarët qoft myslimanë, katolikë apo ortodoksë duhet të shmagin ndjenjën e urrejtjes ndaj besimeve të tjera duke u inspiruar nga zhvillimet që vijnë nga vendet e tjera që kanë besime të njëjta me ne. Kjo sipas mendimit tim nuk na shërben dhe deri në këto momente shqiptarët janë treguar të zgjuar sa i përket kësaj çështjeje. Bazilika e Zonjës së Mirë ndodhet në bulevardin Zhan Medsë (Jean Medecine) të Nicës dhe është mjaft e vizituar nga nga besimtarët, por edhe nga turistët. E enjtja përkonte edhe me ditën e parë të festimit të ditëlindjes së profetit Muhamed, por edhe me festën katolike të të Gjithë të Shenjtëve që kulmon të dielën me ceremoni dhe një meshë në kishë. Ky moment është shfrytëzuar nga Ibrahim. A 21 vjeçar për të gjetur sa më shumë njerëz në bazilikë. Autoritetet nuk japin të plotë identitetin e tij, ndërsa thuhet se është me kombësi tuniziane, por se kjo nuk është ende e konfirmuar. Siç dihet hyrja në objektet e kultit kudo është e lirë qoftë për vizitorët, por edhe për besimtarët. Në këtë moment autori i armatosur me thikë ka sulmuar njerëzit që ndodheshin aty duke i prerë në fyt (duke personifikuar edhe vrasjen sipas riteve muslimane të gjësë së gjallë për një vdekje më të lehtë). Ai nisi të thërriste në arabisht Allahu- Akbarr (Zoti është më i madhi) përpara se të niste të sulmonte personat që ndodheshin në Katedrale.
Një nga personat e vrarë qe kujdestari i kishës, 55-vjeçar i identifikuar me emrin Vincent, ndërsa viktima e dytë është një grua 60-vjeçare e vraë pranë një prej vaskave ku bëhet larja simbolike me ujë të bëkuar. Një grua 44 vjeçe mori plagë të rënda dhe u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetojë. Një person që ndodhej në ambientet e brendshme të katedrales arriti të shtypte një buton alarmi të instaluar nga bashkia e Nicës. Efektivë të policisë bashkiake të armatosur mbërritën aty e po ashtu edhe njësia e specializuar antiterror. Agresori për të shpëtuar tentoi të fshihej në banjo ndërsa efektivët e policisë hapën zjarr ndaj tij duke e lënë të plagosur. Ai u tranpsortua për në një spital të Nisës, ku po ruhet nën masa të rrepta sigurie. Ministri Brendshëm Zherald Darmanë (Gerald Darmanin) kërkoi ngritjen e një shtabi krize në mënyrë të menjëhershme duke informuar presidentin Makron dhe kryeministrin Zhan Kasteks. Ky i fundit u detyrua të braktisë mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ku duhej të prezantoheshin masat e reja shtrënguse kundër pandemisë të ndërmarra nga qeveria franceze të njoftuara mbrëmjen e të mërkurës nga Makron. Një minutë heshtje u mbajt gjithashtu në Asamblenë Kombëtare.
Çfarë ka deklaruar agresori në polici?
Ende nuk ka një konfirmim të saktë mbi deklarimet e tij në Polici, ndërsa në vendin e ngjarjes ka mbërritur Prokurori i Antiterrorit i Prokurorisë së Nisës për të drejtuar hetimet. Po kështu edhe Prokurori Kombëtar i Antiterrorit po vëzhgon situatën dhe pritet të dalë në mbrëmje në një konferencë për shtyp. Nga hetimet e para konfirmohet se autori Ibrahim A. Ka hyrë në Francë nga Italia. Ai kishte udhëtuar në Itali nga ishulli i Lampeduzës ku kishte mbërritur me anije nga Tunizia. Në Itali ai kishte marrë një urdhër dëbimi me detyrim për të lëshuar në mënyrë të menjëhershme territorin e vendit. Në këtë mënyrë ka hyrë në Francë, ku ende nga informacionet e para qëndronte në mënyrë të parregullt.
A ka mundur Policia të zbulojë shkaqet pse ka ndodhur ky krim?
Ka një qëndrim zyrtar tashmë nga autoritetet Franceze të cilat e kanë cilësuar ngjarjen si atentat të lidhur me motive terroriste. Është ngritur një njësi e posaçme antiterrori e drejtuar nga një prokuror përkatës për hetimin e ngjarjes. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë rrethanat në të cilat ka ndodhur krimi si dhe më shumë të dhëna mbi personin e mësipërm.
Prokurori i Republikës ZHan-Fransua Rikard (Jean-François Ricard) në një dalje publike në mbrëmje bëri të ditur se ishin gjetur në brendësi të bazilikës një Kuran, dy telefona dhe mjaft thika. Një prej thikave sipas prokurorit ishte e një madhësie prej 17 cm. Aty pranë është gjetur edhe një çantë brenda kishës që besohet se i përkasin autorit në të cilën ndodheshin dy çanta të papërdorura nga autori.
Ndërkaq të vrarët sipas prokurorit janë gjetur si më tej:
Trupat e dy personave, një burrë 55 vjeç, kujdestar i Kishës dhe një grua 60 vjece u gjetën në ambientet e brendshme të ndërtesës. Trupat e tyre ishin të masakruar dhe të prerë në fyt. Një grua 44 vjeçe ishte plagosur rëndë më parë në afërsi të bazilikës, pasi kishte marrë plagë të rënda. Ajo vdiq në spital.
Policia është e bindur pa asnjë dyshim se bilanci mund të kishte qenë edhe më i rëndë nëse nuk do të ishte ndërhyrë më shpejt. Ky fakt u nënvizua edhe nga prokurori i Republikës. Ky është atentati më i rëndë pas atij të ndodhur po në 2016 në Nicë kur një person me armë dhe me kamion vrau 86 persona në bulevardin e Anglezëve në Nisë.
Intinerari i ndjekur para atentatit
-Ora 6:47-Autori ka hyrë në stacionin e trenit në Nisë, ku ka ndërruar rrobat e tij.
– 8:13-Autori 21-vjeçar përshkon 400 metra dhe arrin përpara bazilikës në orën .8:29 Aty ai qëndron 30 minuta ku nisi sulmin ndaj viktimave
8:54- një grua largohet nga këndi i majtë i bazilikës, ajo ndërroi jetë disa momente më vonë për shkak të plagëve. Dërgimi në spital nuk pati efekt.
– 8:57- Një patrullë me katër policë bashkiakë të Nisës ndërhyjnë dhe neutralizojnë agresorin. Burri kishte avancuar drejt tyre duke bërtitur Allahu Akbar (Zoti është më i madhi).
A ka pasur bashkëpunëtorë dhe a ka frikë për sulme të tjera terroriste?
Ende nuk dihet nëse i dyshuari ka pasur apo jo bashkëpunëtorë. Sic edhe është parë dhe bërë e ditur deri më tani nga mediat, personi ka vepruar së paku i vetëm në bazilikë. Por nga ana tjetër po verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë së katedrales, të rrugëve aty pranë e më tej për të zbardhur edhe rrugën e e ndjekur nga autori. Sigurisht që pritet të shoqërohen edhe të merren në pyetje persona dhe elementë me të cilët Ibrahim. A, ka pasur lidhje dhe njohje për të zbuluar më tepër mbi të. Sa i përket frikës duhet thënë se ajo ekziston. Pak orë pas kësaj ngjarjeje një tjetër sulm u regjistrua në qytetin e Avinjonit (Avignon). Një person i armatosur me thikë u vra nga policia pasi kërcënonte qytetarët dhe tentoi të konfrontohej me policët. Këta të fundit hapën zjarr me armë duke e plagosur, ndërsa më pas ndërroi jetë. Paraprakisht është përjashtuar pista e atentetit. Sidoqoftë ngjarja në Nisë vjen pas një serie ngjarjesh në Paris të premten me 16 tetor, u ekzekutua një mësues që kishte dhënë një interpretim mbi karikatuarat e profetit Muhamed të publikuara nga revista Sharli Hebdo (Charlie Hebdo). Po kështu me 27 shtator policia arrestoi 7 persona mes të cilëve një pakistanez që po përgatisnin një sulm mbi zyrat e revistës e cila kishte ndryshuar adresë.
Në Francë duket se ka një rritje të përplasjeve fetare, kujtojmë vrasjen e mësuesit, më pas kemi dhe karikaturat satirike te Charli Hebdo, sa ndihet tek qytetarët e thjeshtë?
Duhet thënë se acarimi i mardhënieve mes Francës, Turqisë që pas krizës së kërkimit të gazit nga Turqia në detin Egje nga njëra anë dhe vendeve arabe nga ana tjetër për shkak të publikimit të karikatuarave të profetit Muhamed ka sjellë një nxitje të urrejtjes tek elementë integralistë apo ekstremistë. Por nga ana tjetër analistë dhe media të ndryshme, por edhe autoritetet dyshojnë se kjo frymë urrjetjeje është e nxitur nga elementë me tendenca ekstremistë radikale nga brenda dhe jashtë vendit. Pjesa dërrmuese sigurisht që mbeten indiferentë, por mbeten të rrezikuar të ndikohen nga elementë të tillë radikalë. Dyshimet mbeten se Turqia po ndikon që të ngjallet një frymë urrejtjeje ndërfetare në Francë. Pak ditë më parë revista satirike publikoi edhe karikatura të presidentit turk të ulur në një kolltuk pranë një femre të zbuluar. Kjo natyrisht rriti pakënaqësinë e ekstremistëve. Sipas francezëve karikaturat nuk shprehin tallje për profetin Muhamed apo fenë islame. Në të vërtetë ato simbolizojnë një pjesë të liderëve myslimanë që sundojnë në vendet arabe duke lënë një pjesë të mirë të populsisë së tyre në injorancë, ndërsa vetë liderët përfitojnë nga pushteti dhe korrupsioni që i rrethon ata.
Si i kontrollon Franca këto grupe ekstremiste?
Sigurisht që për momentin mbetet një sfidë parandalimi i ngjarjeve të tilla të rënda nga autoritetet, si nga policia dhe xhandarmëria por edhe nga shërbimet e inteligjencës. Sigurisht që shkalla e alarmit është maksimale dhe autoritetet po bëjnë gjithçka për të shmangur situata të mëtejshme.
Për t’i paraprirë kësaj situate, presidenti Emanuel Makron urdhëroi angazhimin e së paku 7 mijë policëve që do të përfshihen në masat antiterror pas situatës së fundit të krijuar në vend.
Po kështu, një javë më parë Ministri i Brendshëm Zherald Darmanë zhvilloi një tur në vendet e Magrebit, Marok, Algjeri e Tunizime qëllim depërtimin drejt këtyre vendeve të një numri prej rreth 250 personash të cilësuar tashmë nga autoritetet e vendit si persona me prirje ekstremiste dhe integraliste. Masa të tilla synojnë minimizimin e sjelljeve të tilla që bien ndeshe me vlerat dhe qytetërimin francez. Vrasja e mësuesit në Paris detyroi atë të ndërpresë këtë tur përkohëssisht.
Franca ka shpallur sërish kufizime për covid- 19, sa mund të rrezikojë ekonominë franceze ?
Për të frenuar rritjen e numrit të të infektuarve në valën e dytë të pandemisë së COVID- 19, Presidenti Emanuel Makron shpalli masat kufizuese të mërkurën në mbrëmje. Të gjithë të punësuarit që mund të punojnë në linjë nga shtëpia nuk do të kenë mundësi të lëvizin. Përjashtim do të bëjnë kryerja e detyrimeve familjare si blerja e ushqimeve në tregje apo markete, apo nevojat shëndetësore. Në të gjitha rastet do të duhet të plotësohet një formular në linjë në të cilin do të përshkruhet adresa e personit, motivi, destinacioni, ora e daljes dhe ajo e kthimit në banesë shoqëoruar me një numër telefoni. Në cdo rast cdo aplikim ka një bar kod të caktuar.
Sa i përket masave ekonomike kryeministri Kasteks parashtroi një plan të rëndësishëm masash për mbështetjen e familjeve në nevojë që të marrin një suport të caktuar. Ndërmarrjet nën 50 punëtorë do të përfitojnë një ndihmë nga shteti e cila nis nga një minimum që nis në 10 mijë euro. Nga ana tjetër profesionale të ndryshme të cilat e kanë të pamundur zhvillimin e aktivitetit në linjë nuk do të pengohen të vijojnë punën.
Masa të tjera mbështetëse dhe financuese janë parashikuar me qëllim suportimin e ndërmarrjeve të cilat nuk do të kenë mundësi të punojnë në këtë që parashikohet të zgjasë deri me 1 dhjetor. Karantina mund të zgjatet në rast të rëndimit të situatës, por kjo pritet të varet sipas rajoneve dhe departamenteve. Masat shtrënguese pritet të prekin më së tepërmi industrinë prodhuese, turizmin, baret dhe restorantet. Të gjitha shërbimet social- kulturore por edhe ato jo të nevojshme pritet të jenë të mbyllura. Shkollat deri në nivelin e gjimnazeve dhe qendrat e formimit do të jenë të hapura. Universitetet pritet të zhvillojnë mësimin në linjë. Masat besohet se do të jenë një zgjidhje afatgjatë deri në dhënien fund të pandemisë dhe konfirimit të vaksinës kundër COVID-19. / Luis Tanushi