Sot pasdite do të mbildhen deputetët dhe do të vendosin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku doli në një deklaratë për mediat pas kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e deputetit të PS-së. Në fjalën e saj, Tabaku i bëri thirrje Ahmetajt që të bashkëpunojë me SPAK-un që t’i shkohet deri në fund aferës së Inceneratorëve.
“Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që ti shkohet kësaj afere deri në fund”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, ajo kërkon nga SPAK-u që të bashkohen në një dosje hetimet për Inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, ndërsa thotë se ato tashmë duhet të kalojnë në pronësi të Bashkive dhe të vihen në punë.
“Sot paratë janë duke u paguar për Tiranën, në këto kushte besoj se këto duhet ti kalojnë në pronësi bashkive dhe duhet të marrin në administrim këto djegësa për të parë se si mund të vendosen në dispozicion. Është për Tiranën, s’ka incenerator, vetëm landfill, të ndërpriten pagesat menjëherë”, tha Tabaku.