Nga Ardit Bido*
Kur shkon mbi Delvinën time për drejtim të Sopotit, para rrugës së pashtruar kurrë, qendrojnë stoike tre tabelat e fshatrave që mbizotërojnë në malin kryegjerë: Varfaj, Lefterohori dhe Kakodhiq. Prej mëse 30 vitesh, dy nga tre tabelat, që u përkasin fshatrave minoritare janë në shqip dhe greqisht me dakordësinë absolute të çdo delvinjoti!
Ngjarja e ditëve të fundit me tabelat në zonën e Bashkisë së Finiqit është një shëmti ballkanike që nuk na duhet. Për inate personale, ai që vendosi tabelat, vuri në rrezik diçka më të madhe se ai vetë, provokimin ndaj çdo shqiptari (etnikisht shqiptar a entikisht grek). Sepse, po me logjikën e tij të dygjuhësisë me mbivendosje të greqishtes ndaj shqipes në fshatrat shqiptare Pandelejmon, Sopik, Navaricë, Muzinë e Pecë, vetëm pse janë pjesë e bashkisë së tij, Lefterohori e Kakodhiqi, nuk do të kishin kurrë tabelat dygjuhëshe në bashkinë e origjinës time. Për më tepër, nëse greqishtja është mbizotëruesja e tabelave nga kalon çdo shqiptar (etnikisht shqiptar a etnikisht grek) dhe i huaj për të shkuar në Sarandë, Delvinë e Konispol, kemi ngatërruar me dashje konceptin e vetëqeverisjes vendore me konceptin e vetëqeverisjes mbi baza etnike.
Mirëpo, problemi nuk janë tabelat. Ato janë më së paku një çështje. Problemi qendron më tej. Pardje u zgjova me një mori mesazhesh nga saranditët e mi (labë, bregas, çamë e minoritarë), mbi provokimin e panevojshëm elektoral të një kryebashkiaku në ikje. Provokim që ka implikime serioze në kurriz të asaj zone; që dëmton shqiptarët e grekët vendas, të cilët jetojnë krah më krah e bashkë, pa dallime!
Sepse ai vendim alogjik e i vogël solli jo vetëm reagimin serioz të shtetit sot, por dhe nxitje të qendrimeve ekstreme nga çdo anë; erën e përçarjes ndër nesh që na ka lënë e po na lë kaq pas…
Së pari, do turren për pak orë ekstremistët grekë që do na bombarodojnë me injorancën e pafre mbi një realitet që nuk e njohin: atë të bashkëekzietencës pa kushte mes saranditëve të çdo origjine!
Së dyti, do turren ata që nuk e pranojnë dot të drejtën e padiskutueshme të pakicave të kenë tabela ku krahas (!) shqipes të jetë edhe gjuha e nënës së pakicave, porsi në Lefterohorin e Kakodhiqin e Delvinës time!
Së treti, do turren pseudokozmopolitët shqiptarokompleksiv që janë të gatshëm të mohojnë Atdheun, nga frika mos etiketohen nacionalist, duke harruar që patriotizmi i shëndosh është domosdoshmëri e botës sot!
E zallamahia mes tre rrymave të zëshme që do na buçasin ekranet do vijë kundër çdo paradigme që na tregon Kaonia bashkëkohore, ku patriotizmi shqiptar gërshetohet natyrshëm me respektimin e pakicave si vëllezër të një etnie tjetër, e patriotizmi i pakicës është dykahësh ndaj të dyja kombeve ku bën pjesë, duke qenë shqiptarë krenarë të paqtë e grekë krenarë të pashuar njëherazi!
Kryebashkiaku në ikje i bëri pardje dëmin më të madh qytetarëve që duhet t’u shërbejë: i bëri të duken para atyre shqiptarëve që nuk njohin atë zonë si ekstremistë kur nuk janë dhe shtyu në kohë të drejtën e 53 fshatrave të pakicës që të kenë tabela dygjuhëshe, vetëm nga mania që dygjuhësia të shtrihet edhe në pesë fshatrat shqiptare të bashkisë dhe që greqishtja të mbizotërojë mbi gjuhën zyrtare të këtij vendi.
Ndaj, unë mbesë aty, duke parë Sarandën e vendlindjes time, nga Varfaji çam në majë të Sopotit mbi Delvinën labe, pas Lefterohorit-Ελευθεροχώρι dhe Kakodhiqit-Κακοδίκι. Mu aty, duke qeshur me dhimbje ndaj turrjes së pafre të injorancës së zëshme të pakicës që përbëjnë tre rrymat e ekstremizmit kundërlogjik, pranë simbiozës pa kushte të bashkëqytetarëve të mi grekë, çamë, bregas e labë.
My aty, mbi Delvinë, për në Sopot!