Grupi i Laert Haxhiut do të hetohet në SPAK nga prokurori Behar Dibra. Dosja nga Elbasani ka ardhur që në datë 20 tetor, ndërsa prokurori pritet ta dorëzojë brenda ditës së Hënë kërkesën në Gjykatën e Posaçme për rivlerësimin e masave të sigurimit. SPAK ka studiuar thëniet e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani.
Tafani ka folur edhe për dy linja të trafikut të kokainës jashtë vendit. I penduari ka treguar edhe emra konkretë në lidhje me këtë çëshjte. SPAK do të nisë letërporosi drejt disa vendeve të BE-së për të mësuar më shumë mbi personat e përfshirë.
Ai ka treguar edhe kodet e Sky ECC që janë përdorur nga grupi i Laert Haxhiut. Përpos 18 ngjarjeve kriminale që janë dokumentuar nga prokuroria e Ebasanit, Tafani ka folur edhe për krime të tjera. Thëniet e tij do të verifikohen nga hetuesit nëse lidhen me ngjarjet që kanë ndodhur dhe me proceverbalet që ka policia.
Haxhiu dhe pjesa tjetër e të arrestuarve, akuzohen se janë autorë të 4 vrasjeve në Shqipëri, si dhe për disa plane vrasjesh dhe ngjarjeve të tjera me shpërthim tritoli. Disa prej ngjarjeve janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.