Kuvendi ka miratuar me 100 vota pro emrin e Evgjeni Basharit në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Në seancën e mëparshme, në mesin e pesë kandidatëve që kishin dorëzuar aplikimin në Kuvend për të zënë vendin e Shkëlqim Ganajt, deputetët votuan pro vetëm për Elena Papën dhe Evgjeni Basharin, ndërkohë që Eridian Salianji u tërhoq nga gara ma herët.
Bashari aktualisht mbante postin e sekretares së përgjithshme të Inspektoratit.
I ngritur 17 vite më parë, ky Inspektorat bën kontrollin e pasurisë së të gjithë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar dhe pas Reformës në Drejtësi ka marrë një rol të rëndësishëm sa i takon kontrollit të pasurisë dhe konfliktit të interesit për të gjithë magjistratët që kalojnë në procesin e vettingut.