Qyteti i Kuçovës dhe disa fshatra të saj kanë vuajtur mungesën e energjisë elektrike prej më shumë se 3 orësh. Shkak për këtë mungesë raportohet se është bërë era e fortë, e cila ka filluar që prej mëngjesit të sotëm. Mësohet se fshatrat që kanë ngelur pa drita janë: Lumas, Mbolan, Lapardha, Otllak, Moravë,Vodëz, Shegjëz, Perondi, Kozare etj.
Shkëputja e energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e stakimit automatik të Nënstacionit “Kombinat”, që në raste erërash të forta stakohet për të shmangur defektet e rënda në rrjetin elektrik. Burime zyrtare nga OSHE Berat njoftojnë se në raste të stuhive të erës, siç po ndodh edhe sot, stacioni qendror stakon nënstacionet e qytetet ku ka probleme me stuhinë e erës.
Gjithashtu, nga të njëjtat burime bëhet me dije se qyteti i Kuçovës dhe rreth 20 fshatra në qarkun e Beratit, janë pa energji elektrike prej 3-orësh.
Deri më tani nuk dihet ende se kur do të rikthehet energjia pasi vënia në punë e nënstacionit elektrik “Kombinat” do të kryhet vetëm pasi të reduktohet stuhia e erës që pa vijoj në disa zona të qarkut të Beratit.