Nata e 26 gushtit do të hyjë në historinë e NBA, pasi ishte ajo kur lojtarët refuzuan të dilnin ët luanin në parket si shenjë proteste ndaj ngjarjeve të dhunës policore në SHBA me sfond racizmi. Ngjarjet e rënda të kohëve të fundit ku polica ka qëlluar persona me ngjyrë të paarmatosur, kanë shtyrë yjet e NBA që të ndërmarrin këtë formë drastike proteste, ndërsa më parë kishin protestuar duke u gjunjëzuar apo me sllogane të ndryshme.
Miluoki Baks, pretendente për titullin dhe favorite në ndeshjen ndaj Orlando Mexhik, duke kryesuar 3-1 serinë në play-off, ishte ajo që nisi këtë bojkot sot në sfidën e parë. Skuadra refuzoi të dilte në fushë dhe lajmëroi edhe kundërshtarët, të cilët pak minuta para sirenës, u kthyen edhe ata në dhomat e zhveshjeve, duke refuzuar që të luanin.
Rreth një orë më vonë, NBA bëri të ditur se ishin anulluar të tre ndeshjet e planifikuara për sot, pasi vendimin për të bojkotuar sfidat do e mbështetnin edhe lojtarët e dueleve të programuara Oklahoma-Hjuston dhe LA Leikërs-Portland.
Më pas, ishte LeBron Xhejms i cili me një postim në rrjetet social tregoi të gjithë inatin e tij rreth asaj që ndodhte. “Ne kërkojmë ndryshim, na ka ardhur në majë të hundës”, ishte postimi i tij që shoqërohej me nëj sharje që mendohet se i drjetohej Donald Tramp.