Kreu i shtetit Ilir Meta është takuar me kreun e Komisionit të Venecias , Gianni Buquicchio të cilit i dorëzoi dhe raportin e përgatitur për Komisionin bën të ditur zyra e shtypit e Presidentit.
Meta ka shprehur vullnetin për bashkëpunim të plotë për çdo çështje apo paqartësi që lidhet me të.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin historik të Komisionit të Venecias për forcimin e institucioneve, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri, vijon më tej njoftimi.
Por çfarë raporti i ka dorëzuar kreu i shtetit atij të Venecias?
Burime për tirananews.al bëjnë të ditur se bëhet fjalë pikërisht për materialin “TOP SEKRET” që kreu i shtetit kishte marrë nga SHISH lidhur me trazirat që mund të kishte në protestën e qershorit. Pikërisht nga ky raport Meta thotë se mori vendimin e anulimit të zgjedhjeve të 30 qershorit për të mos përshkallëzuar më tej situatën.
Aktualisht dokumenti sekret është dhe në komisionin hetimor parlamentar të ngritur për të dhe kjo u konfirmua nga Ulsi Manja, kreu i komisionit. Por megjithatë deputetët e komisionit nuk janë njohur me materialin për shkak se disa prej tyre nuk kanë certifikatë sigurie.