Shefi i diplomacisë shqiptare në detyrë, Gent Cakaj, i ftuar në emisionin Open të Eni Vasilit, tha se Samiti i Berlinit është politikisht i dobishëm pasi kthen vëmendjen ndaj Ballkanit.
Cakaj është përplasur me kryeredaktorin e gazetës Panorama, Robert Rakipllari, i cili e akuzoi për kontradiktë për deklaratat në lidhje me kancelaren Angela Merkel.
Zv.Ministri i Jashtëm, Cakaj i tha Rakipllarit se takimi me Merkel ishte krejt i ndryshëm nga Samiti i Berlinit dhe se Berlini zyrtar është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Më tej, Rakipllari i vuri në dukje ministrit se nuk është bërë asnjë hap përpara për integrimin në 6 vite.
“Procesi i asocimit nuk është anëtarësim. Sfida jonë nga qershori ka qenë kombinimi i potencialit reformator me procesin e anëtarësimit. Ju keni konfuzion total për këtë çështje”, iu drejtua Cakaj Rakipllarit.
Kryeredaktori i Panorama ka deklaruar se Cakaj është dekoruar nga Rama për negociatat që ka zhvilluar vitin e kaluar me Brukselin për arritjet e rekomandimit pozitiv.
Por Cakaj i është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë se nuk është i saktë në asnjërin nga kostatimet, pasi nuk është e vërtetë që ai ka marrë dekoratë apo medalje.
Rakipllari ka insistuar se ka edhe foto për këtë çështje, ndërsa Cakaj deklaroi i prerë: “Nëse kam marrë dekoratë apo medalje, jam gati të jap dorëheqjen këtu, në këtë emision”.