“Jemi në rrugën drejt përpjekjes për të arritur një marrëveshje. Nëse nuk do t’ia dalim, shumë njerëz do të paguajnë një çmim të lartë”. Donald Trump u rikthye në modalitetin negociues, pas presioneve të ditëve të fundit ndaj Zelenskyt, pikërisht në kohën kur ministrat e Jashtëm amerikan dhe rus kontaktuan për të filluar përgatitjet për samitin e Budapestit mes krerëve të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit.
Zëvendëspresidenti Vance megjithatë theksoi se “ende nuk është marrë vendimi përfundimtar mbi furnizimin e Kievit me raketat Tomahawk”, duke dërguar një paralajmërim për Moskën, që Putini të mos mendojë se tashmë ka fituar, siç kishte bërë në prag të takimit dështuar të Anchorage.
Dita nisi me telefonatën midis Rubio dhe Lavrov, të cilën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e përshkroi si një “mundësi për të diskutuar hapat e ardhshëm”, pas asaj të 16 tetorit midis Donald dhe Vladimir. Sekretari “theksoi rëndësinë e angazhimeve të ardhshme si mundësi që Moska dhe Uashingtoni të bashkëpunojnë për të promovuar një zgjidhje të qëndrueshme të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, në përputhje me vizionin e presidentit Trump”.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov konfirmoi bisedën, por sqaroi se “absolutisht nuk ka asnjë marrëveshje. Gjithçka është ende në fazë vlerësimi”, përfshirë vendin dhe datën e takimit midis dy krerëve të diplomacisë. Me fjalë të tjera, procesi sapo ka nisur dhe kërkon të paktën ndërtimin e një kornize të përgjithshme mirëkuptimi, për të shmangur përsëritjen e Anchorage, ndërsa Bullgaria ka garantuar se do t’i lejojë Putinit të kalojë nëpër hapësirën e saj ajrore për të shkuar në Hungari.
Presidenti ukrainas Zelensky ka deklaruar se dëshiron të marrë pjesë: “Nëse do të jem i ftuar në Budapest, nëse do të jetë një takim trepalësh, në të cilin presidenti Trump do të takohet me Putinin dhe me mua, atëherë në një formë apo një tjetër do të arrijmë një marrëveshje”.
