Arjan Kumrija, ose siç identifikohet në rrugët e Tiranës me taksinë e tij; Elvis Presley i Shqipërisë, rrëfen në “Real People” gjithë dashurinë e tij për artistin e famshëm dhe koincidencat e jetës së tij me të.
Arjani shprehet se sa herë e ka lënë Elvisin pas dore, pa i kushtuar kohë, gjërat nuk i kanë ecur mbarë.
E kundërta ka ndodhur kur një pjesë të ditës së tij e ka lidhur me personazhin e famshëm, siç bën edhe sot. Arjani i falet Elvis Presley-t dhe për të është si një Zot i dytë.
“Që në momentin e parë që e kam njohur Elvis Presley, Zoti ma ka nxjerrë përpara, në kohën e diktaturës flas. E shihja fshehurazi në stacionet italiane dhe gjithmonë më ka ndjekur, e kam pasur gjithmonë koincidencë dhe kjo koincidencë është kthyer në realitet. Kam kënduar që i vogël, familja ime ka qenë gjithmonë shumë e lidhur me muzikën, të tria gocat i kam këngëtare”, tregon ai.