Më e vogël në numër dhe pa potencial të madh ushtarak, ushtria ukrainase përballoi një nga ushtritë më të forta në botë.
Rusët u tërhoqën nga pushtimi i Kievit. Bilanci i humbjeve ishte i madh. Veçanërisht për rusët. Ukrainasit raportuan për vrasjen e 15 komandantëve të lartë rusë në rrethinat e Kievit, ku 6 prej tyre ishin gjeneralë, teksa ekspertët amerikanë kanë zbuluar taktikën e ukrainasve për të gjurmuar komandantët rusë në fushën e betejës.
E gjithë taktika lidhej me prapambetjen e rusëve në fushën e telekomunikacionit, ku shpesh gjeneralët dhe vartësit detyroheshin të flisnin me celular në fushën e betejës dhe jo me radio te kriptuara.
Pikërisht kjo dobësi u shfrytëzua nga ukrainasit, të cilët me pajisje speciale dëgjonin telefonatat dhe përcaktonin trafikun e thirrjeve nga terreni në drejtim të një pikë, e cila ishte ajo nga ku dilnin urdhrat. Me të zbuluar këtë, ukrainasit dërgonin koordinatat te njësitë e artilerisë ose në të kundërt nisnin ekipe snajperash në prapavijën e armikut duke kryer një numër të madh vrasjesh të bujshme.
