1000 familje në bashkinë e Tiranës do të përfitojnë kredi të buta, ku kategoritë më të favorizuara janë çiftet e reja, gratë kryefamiljare dhe komuniteti rom. Aplikimet për kreditë e buta nisin më 17 shkurt dhe do të zgjasin një muaj, deri më 17 mars. Drejtoresha e Shërbimit social Anisa Subashi shprehet se për t’u bërë përfitues i kredisë, aplikusi duhet të ketë të ardhura mujore nga 31 mijë lekë deri në 115 mijë lekë.
“Për një muaj të gjithë qytetarët e Tiranës kanë të drejtë të aplikojnë. Të plotësojnë një formular me vetë deklarim. Pra është nga 17 shkurti deri më 17 mars. Risia e këtij viti është që ne kemi 1 mijë kredi. Në vitet e kaluara kreditë kanë qenë më të pakta. Familjet duhet të kenë një të ardhur mujore jo më të vogël sesa 31 mijë lekë dhe jo më shumë sesa 115 mijë lekë. Prioritet janë çiftet e reja, gratë kryefamiljare dhe komuniteti rom” tha për Report tv, drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Subashi.