Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana ka akuzuar Taks-Forcën, për mosmarrjen e masave të duhura për parandalimin e infektimit të koronavirusit. Po ashtu ai ka folur ashpër për drejtuesit e institucioneve kryesore, që sipas tij nuk mbikqyrin të infektuarit apo ata që janë në pritje të përgjigjes të tamponit. Ai thotë ndër të tjera se në Kukës koronavirusi nuk është marrë seriozisht dhe se të infektuarit me sëmundjen vdekjeprurëse dalin në rrugë.
Në një intervistë që ka dhënë për mediat ai ka thënë se në në Kukës vazhdojnë të bëhen dasma ku restorante janë të mëdha me 200 vetë, ndërsa rregullat e Covid-19 nuk zbatohen.
“Mjeku i familjes, policia nuk i kanë në mbikqyrje të plotë, pasi ka raste që këta dalin nga familjet e tyre dhe shkojnë në pazar, tek spitali, tek marketi. Ka një kod penal, këta janë si një njeri që del me automatik në pazar dhe vret njerëz kjo s’vret menjëherë po i vret avash pas një jave a dy javësh.Vazhdojnë të bëhen dasma dhe në qytet, ku restorante janë të mëdha me 200 vetë. Edhe vakitë duhet të minimizohen. Në qytet ende ka banorë pa maska. Nuk kanë ndërgjegjësuar qytetarët që duhet të ruajnë veten. Nuk vini gjoba. Që nga policia e shtetit, ajo bashkiake, inspektoriati shtetëror shëndetësor. Keni të bëni me jetën e njerëzve. Nëse vazhdoni me këtë impakt do jeni përgjegjës kundrejt qytetarëve për mosmarrjen e masave të duhura për parandalimin e infektimit. Ju them të jeni korrekt dhe serioz në punë. Nuk mund të vazhdohet më me këtë rritëm.”- shprehet ai.
Në Kukës që prej fillimit të pandemisë deri më tani janë infektuar 184 persona dhe kanë humbur jetën 16 pacientë. Ndërkohë në të gjithë Shqipërinë Covid-19 u ka marrë jetën 480 personave dhe ka infektuar 19,455 të tjerë.