Këto kohë e gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar tek Astiri për shkak të prishjes së banesave dhe protestave të banorëve. Sot në Astir është ditë “pushimi”, nuk ka zhurmë eskavatorësh që prishin shtëpi e ndërtesa të tjera.
Unë jam banore e re e lagjes së Astirit, jetoj në katin e 9 –të të një prej pallateve shumëkatëshe të ndërtuara aty. Kur hapa dritaren në mëngjes për të parë nëse ishte bllokuar rruga, u qetësova pasi pashë që nuk kishte gardh me policë. U vesha dhe dola poshtë si përditë.
Gjithmonë kam menduar se problemi i Astrit duhet parë në dy këndvështrime, njëri që askush nuk duhet të ndërtoj në mënyrë të kundërligjshme dhe tjetri që regullatori është shteti, pasi nëse dikush nuk të “vendos kufirin tek thana”…dihet çfarë ndodh. Zbrita poshtë. Shiu sapo kishte pushuar dhe dielli nxirrte më shumë në pah katrahurën e Astirit. Duke ecur në këmbë deri tek stacioni autobusit kuptoja që gjithçka ligjshmëri, paligjshmëri do vazhdojë të diskutohet gjatë, por ajo që mbizotëron dhe është aktuale në atë zonë është fjala varfëri.
Në rrugën kryesore të lagjes së “famshme” në çdo dy metra ka nga një të moshuar që shet, dikush paketa e çamçakëz, dikush ka sajuar një tavoline me një kuti dhe shet rroba e një tjetër shet fara.
Këta janë të gjithë banorë të Astirit. Shumë prej tyre po humbin shtëpitë, ndërsa punë e sigurt që s’kanë. Trishtimi të shtohet edhe më shumë kur nuk ul dot sytë poshtë, pellgje me ujë, gropa me baltë ka kudo.
Jeton në Tiranë dhe ndihesh keq pse jeton aty dhe jo në një zonë ku rrugët janë të asfaltuara. Gjithmonë mbeturinat janë jashtë kazanëve të plehrave, nuk e di, a vijnë t’i marrin më rrallë apo janë njerëzit që i hedhin jashtë, di që kjo karakteristike është e zonës së Astirit dhe gjithë zonave periferike në Tiranë.
Pikërisht tek një nga këto kazanë ndala dhe pyeta një vajzë që diçka merrte nga aty. Ajo është 25 vjeç, e komunitetit rom, që e do jetën dhe kujdeset për familjen e saj, në mënyrën që ajo di dhe me mundësitë që i janë ofruar në jetë.
E pyeta se përse nuk shkonte në punë, por gërmonte tek mbeturinat. Më tha se, me 100 mijë lekë në muaj, që mund t’i jepte shteti ose privati për arsimimin që ajo kishte, nuk i dilnin për të rritur 5 fëmijët e saj.
“Kështu më mirë të mbledh bidona, ku ka punë për mua këtu nuk ka për tjerë, jo për ne. 10 mijë lekë në ditë i fitoj, sa pa gjo jam mirë kshu motra”, shprehet ajo.
Ajo bën zanatin që bëjnë të afërmit e saj, dhe ata të gjithë janë banorë të Astirit…
Gjithë ky përshkrim është për disa kilometra rrugë, por kjo situatë është e tillë derisa zbret tek “pallati me shigjeta”, pasi aty kujtohesh që je në Tiranë./ Tirananews.al/