Deputeti Lefter Gështenja ka komentuar situatën aktuale në Partinë Demokratike, ku grupet e Enkelejd Alibeajt dhe të Sali Berishës kanë deklaruar se do të dalin me lista të ndara për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Gështenja tha në ABC se opozita është e dënuar të dalë me një kandidat në zgjedhje. Gështenja shtoi se një zgjidhje nuk u arrit, pasi ka mungesë vullneti. Sipas deputetit, proceset e njëanshme vetëm e ndajnë partinë dhe nuk ndihmojnë në bashkim.
“Unë besoj që argumentat shteruese janë dhënë. Deklarata e grupit parlamentar ka qenë e saktë. Mendimi im është që ka një mungesë vullneti, për sa kohë ne kërkuam si grup parlamentar por edhe herët, para 3 muajsh, unë dhe një koleg kemi realizuar takime që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të dalim me një kandidat të përbashkët. Ne mandatuam zotin Bardhi që të eksploronte mundësitë për të gjetur pikat e përbashkëta, me qëllim që PD por jo vetëm, e gjithë opozita, duhet dhe është e dënuar, të dalë me një kandidat. Unë besoj që zoti Bardhi e ka sqaruar mbrëmë këtu dhe nuk kishim vendosur kushte. Ajo që ne diskutojmë është se ne duhet patjetër të përfshijmë të gjitha palët. Sa kohë bëjmë procese të njëanshme, nuk bashkohemi, por ndahemi”, tha ai.