Partia Demokratike ka mbledhur grupin parlamentar pak minuta para protestës së paralajmëruar sot në orën 17:00 para Parlamentit.
Në nisje të mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se objektivi kryesor i asaj që ai e quan revolucion është kthimi i votës së lirë.
Ish-kryeministri akuzoi Edi Ramën për keqtrajtimin e deputetëve të opozitës, duke i përjashtuar nga Parlamenti dhe duke i hequr fjalën e lirë.
“Ne nisëm një revolucion që ka objektiv madhor përmbysjen e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Rikthimin e votës së lirë të qytetarëve si objektiv më madhor. Në kushtet e monizmit të plotë, një nga institucionet më të goditura, është Parlamenti. Libri themelor i çdo kombi të qytetëruar, që është Kushtetuta, shkelmohet në Parlament. Dhunohet në Parlament.
Deputetë të opozitës në Parlament, janë trajtuar në mënyrën më antikushtetuese. Të drejtat e tyre janë dhunuar dhe janë pjesëtuar si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e Parlamentit. Për të drejtën e fjalës, deputetët janë përjashtuar nga Parlamenti, të tjerë në kundërshtim me çdo ligj, shpallen të përjashtuar nga grupi me urdhër të Edi Ramës.
Mirëpo, deputetët e opozitës përfaqësojnë jo vetëm veten e tyre. Ata së bashku përfaqësojnë 750 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan për forcat politike opozitare. Të injorosh në këtë mënyrë 750 mijë votues, të sillesh me këtë brutalitet dhe këtë armiqësi të egër ndaj tyre, s’bën asgjë tjetër veçse kërkon konfliktin e hapur.”
