Nga Bardha Nergjoni
Shtatë bashki të qarkut të Elbasanit kanë bashkë një borxh të akumuluar rreth 6 miliardë lekë(4.8 milionë Euro), si pasojë e faturave të papaguara ndër vite. Dy prej bashkive kanë borxhin më të madh nga faturat e papaguara dhe rrezikojnë të menaxhohen nga një administrator i qeverisë, nëse nuk reduktojnë shumën e madhe të akumuluar ndër vite. Pas raportit të KLSH-së mbi Bashkinë Elbasan, Porta Vendore bëri një analizë të situatës në nivel qarku, ku nëpërmjet kërkesave për informacion zbuloi borxhin e akumuluar nga bashkitë e tjera.
Bashkia Elbasan, si njësia më e madhe vendore në qarkun e Elbasanit ka edhe borxhin më të madh, borxh i cili kap shifrën e rreth 200 milionë lekëve, ku 133 milionë i ka borxhe të vetat, ndërsa 67 milionë borxhe për shkak të moslikudimit të faturave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH jep fondet, bashkia mban prokurimin publik, kështu që Bashkia mban barrën e borxhit me subjektet, në rast se Fondi nuk likuidon faturat). Bashkia Elbasan ndiqet më pas nga Bashkia Librazhd, e cila ka deklaruar një borxh të akumuluar 186 milionë lekë. Bashkia Cërrik ka akumuluar një borxh mbi 100 milionë lekë, për tu ndjekur më pas nga Belshi, Gramshi, Peqini e Prrenjasi. Fondi i Zhvillimit Shqiptar ka financuar një numër të madh projektesh, që më pas janë tenderuar nga bashkitë, për të cilat ka shumë detyrime të prapambetura që llogariten në borxhet e investimeve të bashkive respektive.
Bashkia Elbasan
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ushtruar në Bashkinë Elbasan për vitin 2018, KLSH i rekomandon bashkisë që në vazhdimësi çdo faturë shpenzimesh të likuidohet brenda afatit ligjor 30 ditor, për të shmangur transferimin e detyrimeve nga njëri vit buxhetor në tjetrin.
Në raport thuhet gjithashtu se titullari dhe drejtoria e financës të marrin masa të menjëhershme për pagesën e faturave të pa likuiduara deri më 30 shtator 2018, që arrijnë vlerën totale 176,106,951 lekë të reja . Po kështu, Bashkisë Elbasan i rekomandohet që në Këshillin Bashkiak të paraqitet një material mbi gjendjen e faturave të pa likuiduara në vite dhe të hartojë një grafik për shlyerjen e detyrimeve. Vlera më e madhe e borxhit sipas kontrollit të KLSH-së është akumuluar pas reformës territoriale.
Rekomandimi për likuidimin e borxhit ndiqet me disa masa që duhet të marrë bashkia për të bërë të mundur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Kështu, sipas KLSH, në hartimin e buxhetit vjetor Bashkia Elbasan nuk ka planifikuar detyrimet e prapambetura nga faturat e pa likuiduara. Në tre vite parashikimi për buxhetin e Bashkisë Elbasan, përfshirë të ardhurat dhe investimet e planifikuara është realizuar në masën 82%.
Ne iu drejtuam me një shkresë zyrtare për informim Bashkisë Elbasan mbi gjendjen e borxhit nga faturat e papaguara dhe mbi strategjitë për shlyerjen tij. Në përgjigje të kësaj shkrese, Bashkia Elbasan deklaroi një borxh rreth 133 milionë lekë (1. 1 milion Euro), pa llogaritur këtu borxhet e akumuluara nga faturat e papaguara të investimeve të tenderuara nga bashkia me fonde nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar, pasi ky i fundit nuk i ka likuiduar për llogari të bashkisë. Kjo bashki ka edhe buxhetin më të madh në vlerën e 2.62 miliardë lekëve duke llogaritur grantet dhe të ardhurat e parashikuara nga mbledhja e taksave. Vetëm fatura të papaguara për investimet shkojnë në 110 milionë lekë, ndërkohë që bie në sy fakti që bashkia ka zero detyrime për vendimet gjyqësore.
Gentjan Sejrani, përfaqësues i shoqërisë civile, ndërsa diskutohej buxhetimi me pjesëmarrje, ngriti shqetësimin e borxhit të madh të Bashkisë Elbasan përballë nevojës gjithmonë e në rritje për investime dhe mbështetje sociale, sidomos në fushën e strehimit. Duke ngritur shqetësimin e performancës së dobët për mbledhjen e taksave të identifikuar si problem nga KLSH për Bashkinë Elbasan, Sejrani iu drejtua Kryetarit të Bashkisë nëse ka një plan të mirëfilltë për mbledhjen të ardhurave dhe detyrimeve të prapambetura, të cilat kanë ndikuar në realizimin e buxhetit, por edhe në shlyerjen e faturave që bashkia u ka të tjerëve. Kryebashkiaku Gledian Llatja u përgjigj se subjektet në borxh i kanë kaluar përmbarimit për ekzekutim. Vetëm detyrime të pavjela nga subjektet private sipas raporti të KLSH janë 130 milionë lekë.
Sipas rekomandimeve të KLSH, Bashkia Elbasan do të përballet edhe me një shkurtim me rreth 100 milionë lekë në fondin e bonusit të strehimit, ku pushteti vendor do të duhet të subvencionojë 50% të shumës për familjet që do të përfitojnë bonus strehimi. Ky shkurtim konsiderohet një nga pasojat e borxhit të madh të akumuluar nga bashkia Elbasan, pasi paratë që do të shkonin për bonus strehimi, tashmë do të përdoren për shlyerjen e borxhit.
Bashkia Librazhd
Nëse Bashkia Elbasan nuk do të rriste borxhin efektivisht nga shtatori 2018 deri në fund të vitit 2018 sipas raportit të KLSH, atëherë bashkia me borxhin më të madh në këtë qark do të ishte Librazhdi. Sipas përgjigjes ndaj kërkesës për informim, bashkia Librazhd ka një borxh të akumuluar prej 186 milionë lekësh (1.55 milion Euro), nga të cilat vlera më e madhe i përket borxhit të grumbulluar nga faturat e pa likuiduara të investimeve. Kjo shifër është tepër e konsiderueshme krahasuar me buxhetin prej 523 milion lekësh, por edhe me numrin e banorëve të kësaj njësie. Kështu, ndër detyrimet e papaguara janë: investimet rreth 171.2 milionë lekë, ekzekutime të vendimeve gjyqësore 10 milion lekë dhe shpenzime të mirëmbajtjes me rreth 4. 6 milionë lekë.
Plani i shlyerjes për këtë bashki është zerimi brenda vitit i shpenzimeve gjyqësore dhe operative. Ndërkohë investimet, sipas këtij institucioni, do të shlyen pjesërisht brenda këtij viti duke e zhvendosur mbi 50% të borxhit në 2020.
Bashkia Cërrik
Bashkia Cërrik në performancën e saj llogarit një borxh prej 61 milionë lekësh (508 mijë Euro) për shpenzime operative dhe shërbime, ndërkohë që për investimet vlera është afërsisht 10.5 milionë lekë investime me fondet e bashkisë, dhe 1.5 milionë fonde të FZHSH. Vlera totale e borxhit arrin 100 milion lek Kjo bashki është ndër të vetmet që vlerën e borxhit e ka më të madhe te shërbimet se tek investimet. Nga të dhënat e siguruara nga Bashkia Cërrik, shlyerja e detyrimeve gjatë vitit 2019 është zero.
Bashkia Belsh
Bashkia Belsh ka akumuluar një borxh prej 73 666 675 lekë (613 mijë Euro) deri në shtator 2019 ndërkohë që ka një buxhet total prej 265 milion lekësh. Mësohet se vlera më e madhe e borxhit është akumuluar nga investimet e papërfunduara. Detyrimet më të mëdha janë për një shtesë në Ansamblin Rinia, që kushtoi rreth 35 milionë lekë të reja. Ndërkohë, pjesa tjetër janë për kolaudime, mbikëqyrje, azhornime dhe hartim projektesh. Sa i përket shërbimeve vihet re moslikuidimi i faturave të pastrimit dhe të ujësjellës-kanalizimeve. Bashkia Belsh konfirmon se plani i likuidimeve nis me faturat e prapambetura më të hershme dhe do të varet nga mbledhja e të ardhurave. Mungon informacioni nga kjo bashki sa i përket borxheve të akumuluara nga investimet e fondit të zhvillimit shqiptar.
Bashkitë e tjera në qark
Ndërkohë Bashkitë Peqin, Gramsh dhe Prrenjas, edhe për shkak të buxheteve të vogla dhe investimeve të moderuara kanë një borxh të akumuluar disa herë më të vogël se bashkitë e analizuara me sipër.
Borxhi që Bashkia Peqin ka akumuluar është në vlerën 17 336 986 lekë kur ka një buxhet prej 130 milion lekësh. Vlerën më të madhe të detyrimeve e kanë investimet me 11 milionë lekë, duke u ndjekur nga blerjet dhe shërbimet. Porta Vendore nëpërmjet një kërkesë për informacion e pyeti Bashkinë Peqin si do të realizojë shlyerjen e borxhit . “Shlyerja e borxhit do të ndodhë nëpërmjet taksave dhe tarifave vendore”, u sqarua në përgjigjen e saj.
Ndërkohë Bashkia Gramsh është e vetmja që ka pasur një shlyerje të rëndësishme të faturave gjatë vitit 2019. Gramshi ka një borxh të akumuluar prej 26 267 536 lekë ku përfshihen detyrimet nga investimet, vendimet gjyqësore, shërbimet dhe rreth 3.1 milionë lekë si detyrime të tjera. Mësohet se brenda këtij viti Bashkia Gramsh ka shlyer një pjesë të konsiderueshme të borxhit. Ndërkohë pyetjes për një strategji të shlyerjes së borxhit bashkia i është përgjigjur se kjo do të ndodhë me buxhetin 2020-2021. Kjo bashki ka një buxhet total përfshirë grantin dhe të ardhurat me rreth 289 milion lekë.
Bashkia Prrenjas ka qenë e kufizuar në dhënien e informacionit duke bërë publike borxhin e akumuluar nga investimet dhe jo nga shërbimet. Bashkia Prrenjas i është përgjigjur kërkesës për informim pjesërisht, me të dhënat e borxheve për investimet, ku rreth 19 milionë lekë janë detyrime për investime të vetë bashkisë ndërsa rreth 55 milionë lekë janë borxhe të akumuluara nga faturat e papaguara të investimeve nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar, por që janë fituar nëpërmjet aplikimit me projekte dhe tenderuar nga pushteti vendor. Bashkia Prrenjas ka një borxh prej 74.6 milionë lekësh. Kjo bashki nuk komentoi planin e veprimit se si do të shlyejë në të ardhmen detyrimet e prapambetura.
Në fund të shtatorit 2019, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ka firmosur një udhëzim, i cili adreson mënyrën se si duhet të bëhet pagesa e borxheve që ka pushteti vendor, ku dhe parashikohet caktimi i një administratori të përkohshëm nga qeveria. Në një letër drejtuar bashkive, Ministria e Financave u kujton bashkive shlyerjen e detyrime financiare që kanë akumuluar, në të kundërt do t’i propozohet Këshillit të Ministrave caktimi i administratorit. Në bashkëpunim me kreun e njësisë vendore, administratori do të hartojë një plan pune për evidentimin e nevojave minimale që ka njësia, e më pas do të nisë procesin e negocimit të borxhit dhe shlyerjes së tij me palët e treta. Financat po ashtu u kërkojnë bashkive që të reduktojnë dhe rishpërndajnë fondet për të kryer vetëm investimet e përballueshme nga buxheti bashkiak.