Hetimet tashmë janë mbyllur, por deputeti konservator britanik Johnny Mercer ka paguar gati 1 mijë paund, pas hetimeve qe zbuluan shpenzime të pajustifikuara te telefonatave të bëra prej tij.
Midis shumë telefonatave, në listë ishte edhe një numër shqiptar. Kjo tingëllon misterioze sepse deputeti ka mohuar gjithçka.
BBC shkruan se mbikëqyrësi i shpenzimeve të deputetëve IPSA shqyrtoi një ankesë lidhur me faturat e telefonave te deputetëve.
Për rastin e deputetit në fjalë, nga verifikimet rezulton se pjesa më e madhe e thirrjeve telefonike, që përfshijnë koston prej 466 paund, janë bërë me një numër në Shqipëri.
Telefonatat janë zhvilluar përgjithësisht në orët e vona të natës dhe i përkasin vitit 2016. Vetë deputeti mohon të ketë zhvilluar të tilla telefonata, si dhe të ketë bërë një shpenzim kaq të madh.
Ai ka thënë se numri i tij është hakëruar nga persona te tjerë.
BBC thotë: “Nga verifikimet u gjetën rreth 65 thirrje telefonike që zgjasin nga 1 deri në 30 minuta në të njëjtin numër shqiptar më 20 mars dhe orët e hershme më 21 mars, ne shumen prej 466 paund.”