Siç edhe pritej, deputetët e përjashtuar nga Komisoni i Etikës, këtë të hënë nuk janë lejuar nga Gara që të futen në Kryesinë e Kuvendit. Mes tyre ka tensione dhe kjo në portën me hekura jashtë në rrugë. Nga ana tjetër, Komisionet Parlamentare po mbahen online.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, Flamur Noka, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati nuk janë lejuar që të hyjnë në Kryesi, ku do mbahen edhe mbledhja e grupit parlamentar të PD-së, e thirrur nga Gazment Bardhi.
Por deputeti Flamur Noka ka sfiduar Gardën, pasi kaloi kangjellat hyn në kryesinë e Kvuendit. Edhe deputeti Korreshi tentoi por nuk mundi. Të premten e 3 nëntorit u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.
Lidhur me këtë situatë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi paralajmëroi se do të ketë një tjetër kallëzim penal ndaj kryetares së Kuvendit. “Ky është shpërdorim i pastër detyre që do i bashkangjitet kallëzimit penal për Lindita Nikollën”,-tha Bardhi jashtë Kryesisë. Ai nuk është lejuar të hyjë në kryesinë e Kuvendit nga Garda pasi është në listën e deputetëve të përjashtuar për shkak të kaosit të krijuar në seancat e kaluara parlamentare.