Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, ka thënë se ata nuk kanë as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat në veri të vendit.
Megjithatë, EULEX-i tha se të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe se ato duhet të hiqen menjëherë, teksa shtuan se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë shqetësuese dhe e tensionuar.
“Të gjitha barrikadat janë të paligjshme dhe ato pengojnë lirinë e lëvizjes si dhe gëzimin e të drejtave të tjera themelore të njeriut. Ne dëshirojmë të ripërsërisim mesazhin e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell se barrikadat nuk janë të pranueshme dhe duhet të hiqen menjëherë. Megjithatë, siç ka përmendur Shefi i Misionit tonë në një intervistë të fundit ka thënë se, EULEX-i nuk ka as mandat dhe as aftësi për të hequr fizikisht barrikadat”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për Klankosova.