Shqipëria ndodhet në një pjesë me aktivitet të lartë sizmik, dhe pyetja që na lind sa herë lëkundet toka është a janë të sigurta ndërtesat tona? A është marrë parasysh sizmiciteti gjatë ndërtimit të objekteve. Mes kritereve të ndërtimit që është vendi ku ndërtohet, mënyra si ndërtohet, sa kate është dhe në çfarë toke ndërtohet, ndërtuesi duhet të ketë parasysh mes të tjerave dhe studimin sizmik. Në Shqipëri harta sizmike është ajo e vitit ’89 ku përcaktohen zonat sipas intensitetit. Instituti i Ndërtimit është institucioni që bën oponencën teknike të një projekti ndërtimi. Drejtori i këtij Instituti, inxhinieri Agron Hysenlliu, në një intervistë për tirananews.al flet për sigurinë e ndërtesave dhe veprave publike në Shqipëri përsa i përket qëndrueshmërisë së tyre. Ai sqaron edhe specifikat e ndërtimeve të para viteve ’90 dhe ato pas, si dhe legjislacionin përsa i përket kësaj fushe.
Sa herë ndodh të bjerë një tërmet të gjithëve na lind pyetja a i kemi të sigurtë shtëpitë. Instituti i Ndërtimit është ai që bën oponencën teknike që të nisë një ndërtim. Si funksionon kjo?
Faleminderit. Për marrjen e një leje ndërtimi funksionon ligji 8402 që e ka të përcaktuar qartë të gjithë procedurën se si duhet marrë një leje ndërtimi. Leja fillon që nga detyra e projektimit e bërë nga investitori, që përcakton kushtet për bërjen e një objekti të caktuar dhe çfarë kërkon të bëjë dhe pastaj vazhdon me kontraktimin që bën investitori me grupin projektues që harton projektet përkatëse. Pas hartimit të projekteve përkatëse, projekti përkatës shkon për oponencë teknike në institucionin tonë që është Instituti i Ndërtimit, e cila përcakton qartë nëse ky projekt i hartuar nga ky grup projektues është brenda kushteve teknike dhe standardeve shtetërore shqiptare dhe mbasi arrin që të certifikohet këtu tek ne, që ne bëjmë vërejtjet përkatëse vetë investitori i drejtohet institucioneve që japin këto leje ndërtimi, që janë bashkia dhe KRRT. Në përgatitjen e pjesës së projektit të ndërtimit vetë ndërtuesit duhet të kenë parasysh diçka. Në ndërtimin e një objekti objekti ka disa kushte të veta, ku ndërtohet, mënyra se si ndërtohet, sa kate është dhe në çfarë toke ndërtohet. Në të gjitha këto raste kërkohet të merren studimet përkatëse përsa i përket të gjitha llojeve të këtyre që thashë. Në Shqipëri ka studime të tilla. Një nga këto është dhe studimi sizmik për zonën. Në Shqipëri ekziston një hartë që është e viteve ’89, që është harta sizmike, se sa është intensiteti në zona të caktuara të Shqipërisë. Dhe këta konstruktorë që merren me këto godina, deri në 8 kate ata marrin vetëm një vërtetim të thjeshtë nga Instituti i Sizmikës që përcakton kategorinë e tokës ku do të ndërtohet dhe intensitetin sizmik të zonës ku do të ndërtohet. Kurse në rastet kur është mbi 8 kate objekti, atëherë kryhen majte faktike në terren. Simulohet me ultrantigunj dhe shihet përshpejtimi i truallit dhe sa është në gjendje kjo tokë për të ndërtuar këto.
Nëse flasim për zona të ndryshme në vend, të paktën në kryeqytet e dimë që është ndërtuar në zona si ish tokë bujqësore, apo dhe zona kodrinore. A janë të sigurta ndërtimet në këto toka përsa i përket rezistencës së lëkundjeve të tërmetit?
Në konceptin që kam unë si inxhinier, nëse janë marrë inxhinierë projektues me projektin përkatës në të gjitha zonat, objektet janë të sigurta, sepse ata kanë marrë parasysh kriteret që ju thashë. Gjithçka është pjesë inxhinierike, nëse merren inxhinierët, për mua me konceptin që kam unë, me formimin që kanë inxhinierët e sotëm dhe me teknologjinë që ekziston sot asnjë objekt nuk ka problematikë nëse projektohet sipas kushteve dhe rregullave teknike.
Ngul këmbë që është e domosdoshme që në territorin ku ndërtohet të merret dhe hidrologjia e zonës, pjesa se si janë ujërat nëntokësore të vetë truallit ku ajo lëviz. Kemi rastin konkret te Toptani që nuk ishte marrë hidrologjia e zonës, pati ngritje të themele dhe u morën masa të tjera inxhinierike dhe u investua më tepër se sa duhet.
Lexo edhe- A rrezikohet Shqipëria nga tërmete të fuqishme? Ja çfarë thotë sizmiologu Edmond Dushi
Po ndërtesat e para viteve ’90, a konsiderohen më të sigurta se ndërtimet e reja?
Përpara se të ndalem në këtë pikë, që të bëjë kategorizimin kjo bën dhe kjo nuk bën do u them diçka. Në të gjitha objektet që janë ndërtuar pas viteve ;90 ka pasur një asistencë teknike të inxhinierëve, dhe kjo asistencë teknike ka bërë që cilësia dhe karakteri i ndërtimit të një objekti ka pasur besueshmërinë dhe ka qëndrueshmërinë e duhur. Para viteve ’90, dhe atëherë ka pasur disa inxhiniera që kanë punuar por duhet të kemi parasysh diçka që faktorët që influencojnë në një godinë janë këto: e para, koha e ndërtimit, e dyta, lartësia e godinës, e treta: vendndodhja e godinës, e katërta: sistemi strukturor dhe materialet e përdorura. Merremi me kohën e ndërtimit. Koha e ndërtimit ne inxhinierët e ndajmë në disa periudha. Periudha e parë është para viteve ‘44 kur nuk kanë ekzistuar kushtet teknike që të merreshin po eksperienca, si ka ndërtuar dikush dhe ca problematike ka pas, por jo diçka teorike. Godinat në këtë kohë kanë qenë të ulëta, jo të larta.
Kemi në vitet ’45- ’63. Ka pasur disa kushte teknike që kanë qenë të ’52, por edhe njohja e sizmicitetit në atë kohë nuk ka qenë në këtë shkallë që është sot. Ka pasur rezerva, dhe atëherë më tepër është marr me eksperiencë, kanë qenë godina me mure kryesisht dhe ka pasur mangësi në marrjen e intensitetit të tërmetit.
Në vitet 1963-1978 kanë qenë kushtet teknike të projektimit të vitit ’63, që është marrë në konsideratë diçka nga tërmeti i vitit ’60, por godinat nuk kanë pasur lartësi, sepse dhe në atë kohë nuk është aplikuar në këtë masë njohja teknike dhe shkencore siç është sot për tërmetet.
Pas viteve ’78 kanë dalë KTP-të e famshme që neve sot punojmë dhe me to, dhe gjithçka është kryer me këto KTP. Por në atë kohë struktura e ndërtimeve që ka qenë në Shqipëri nuk ka qenë me skelet me betonarme por ka qenë me muraturë.
Në vitet ’78-’90 kemi kushtet e viteve 1978 që është marrë shumë në konsideratë dhe është ndërtuar dhe me prezent antisizmik. Në këtë aspekt është marrë në konsideratë. Kurse pas viteve ’90 janë futur në masë kushtet teknike, sidomos janë futur eurokodet, pavarësisht se ne nuk i kemi implementuar dhe studimet për efekt sizmik të godinave që ndodhen në Shqipëri, jo vetëm godinave po të gjithë inventarit të ndërtimeve janë bërë me kushtet teknike dhe ka pasur një kontroll. Në këtë aspekt dua të ndalem dhe te kjo që godinat i kemi disallojësh, ato të shtangëta, gjysmëelastike dhe elastike.
Godina të shtangëta janë godina që janë bërë me mure, të gjithë ngarkesat i mbajnë muret dhe nuk lejojnë të japin përkulshmëri objektit. Para viteve ’90 ka qenë shumë e theksuar ndërtimi i kësaj lloj godine në Shqipëri. Këto godina për efekt të ndërtimit të tyre nuk lejohen dhe nuk kanë lartësi.
Janë gjysmë elastike që mund ta quajmë që janë të kombinuara mes kolonave dhe mureve që zakonisht bëhen me prezent antisizmik që lejojnë një farë shtangësie. Të këtij lloji janë mbas viteve ’78.
Lexo edhe- Tërmetet e fuqishme që shkatërruan Shqipërinë
Dhe godinat me strukturë elastike që janë të ndërtuara me betonarme, ose me ndërtim me strukturë metalike që lejojnë shmangie dhe elasticitet.
Në këtë aspekt godinat janë ndërtuar sipas këtyre tre karaktereve të tyre. Zakonisht para viteve ’90 ngaqë materialet dhe godinat kanë qenë të karakterit të shtangët nuk ka pasur godina më tepër se 6 kate. Vendndodhja ku ndodhet objekti është një tjetër aspekt. Nuk mund të ndërtohet në Durrës që është kënetë, njësoj si në Tiranë, sepse ka aksesueshmëri të tokës kur bie tërmeti ka lëvizje të tokës. Nëse aty është kënetë lëvizshmëria e tokës është më e madhe. Këto janë konsideratë që merren gjatë projektimit.
Ka një faktor tjetër që është shumë më shumë i rëndësishëm është faktori i ndërtimit të objektit, koha e ndërtimit dhe ky është faktori bazë. Nuk ka gjë të përjetshme, çdo gjë degradohet dhe vetë materialet e ndërtimit degradohet. Atëherë, si çdo gjë tjetër dhe një objekt ka jetëgjatësinë e vet. Rasti i tërmetit që ndodh sot në Korçë është pikërisht se materiali i përdorur atje në Floq ka qenë masiv dhe është përdorur për lidhjen e gurit apo një lloj llaçi që ka qenë i markave të ulëta. Ajo është degraduar me kohën dhe struktura vetë është ndërtuar jo në mënyrë të rregullt dhe ka ndodhur ajo që ndodhi. Shtëpitë janë 100-vjeçare dhe janë të rrëzuara. Kështu që në këtë aspekt vetë koha bën degradimin e materialit.
Materialet e ndërtimit të përdorura në atë kohë, si hekur e beton, nuk e kanë kaluar markën 250-300 që do të thotë fortësia e betonit fortësia e betonit e përdorur në vepër ka pasur kaq kg për cm2. Kurse sot markat që përdoren janë të klasave të larta, materialet e ndërtimit kanë arritur teknologji të tillë që prodhon materiale ndërtimit që betoni ka marka të karaktereve 400, 800, 1000. Vetë teknologjia se si përdoret ky beton dhe çeliku që futet në vepër, është më i mirë. Detyrimisht vetë cilësia e materialit rrit duktilitetin e objektit. Duktiliteti quhet rasti kur objekti kalon gjendjen elastike të vetën. Ky duktilitet është rritur shumë në godinat e sotme. Sepse dhe projektimi që kryhet dhe rritja e cilësisë së materialet i bën shumë më të sigurta objektet e ndërtuara pas viteve ’94-’95. Për mua pjesa më e rrezikuar e godinave janë godinat e vjetra, si inxhinier. Ndërtimet para ’90 është degraduar materiali, nuk ka pasur njohje të tërmetit në atë kohë. Në këtë aspekt kapaciteti i strukturës për ta mbajtur një tërmet është shumë i madh, se materialet sot janë shumë më cilësor dhe intensiteti që është marrë është shumë më i lartë se intensiteti që vepron.
Po përsa i përket veprave publike, HEC-e etj., z. Hysenlliu, a mund t’i rezistojnë kohës dhe një tërmeti?
Veprat e ndërtuara, unë jam anëtar i bordit të ujërave për hidrocentralet, dhe problematikat që kanë pasur, kanë qenë profesor të nderur si i ndjeri Farudin Hoxha, dhe shumë njerëz të tjerë dhe që i monitorojmë dhe i ndjekim përditë. Ato janë ndërtuar brenda kushteve teknike, kanë problematikat e tyre, riparohen bëhen, strukturohen nga fillimi dhe mirëmbahen po janë shumë më të mbikëqyrura se sa këto godina që i ka gjithsekush privatisht. Ato që janë ndërtuar në atë kohë flas.
Këto që ndërtohet në këtë kohë janë brenda asaj logjikës që ju thashë, me studimet përkatëse, llogaritë përkatëse dhe cilësitë përkatëse.
A ka nevojë të rishikohet legjislacioni përsa i përket dokumenteve sizmike?
Legjislacioni në fushën e ndërtimit është i lidhur me kushtet teknike. Dhe në Shqipëri ka një tentativë, janë bërë disa kushte teknike të reja që janë përshtatur me eurokodet, sepse aty po kërkojmë të shkojmë. Mirëpo nuk është problemi që po bëjmë eurokode, ti marrim e ti kopjojmë. Sepse eurokodet janë ligje si mund ta quash, por anekset kombëtare që janë implementimi direkt në terren duhet të jenë të vendit, sepse ne nuk jemi në të njëjtat kushte me Gjermaninë dhe Francën. Kështu që eurokodet, problematika më e madhe është në anekset kombëtare, hidrologjia, sizmiologjia etj. Kjo po bëhet. Në këtë aspekt dhe legjislacioni ka pasur ndryshimet e veta, legjislacioni për rrugët, sepse rrugët nuk i kemi pasur, në 2015 është bërë eurokodi i ri për rrugët, sepse i kemi pasur rrugë të vjetra, jo si këto të rejat.