Specialisti shqiptar në fushën e sizmologjisë, Rrapo Ormeni thotë se zona ku ra ky tërmet është rast i rrallë në gjithë historinë e tërmeteve, pasi u shoqërua me një tjetër lëkundje të fortë dhe mijëra pas-lëkundje.
Tërmeti 7.8 ballë ishte ndër më të fuqishmit dhe pas tij ra një tjetër tërmet 7.7 ballë. Ky është rast i rrallë në botë ku një tërmet shoqërohet nga një tjetër. Këto tërmete quhen të përbërë, që kanë dy ose tre tërmete kryesore. Nga pasgoditjet, ky tërmet do të vijë duke u shuar.
Ka pasur pas-goditje edhe mbi 6 të shkallës Rihter, ndërsa me magnituda të vogla janë mbi 1 mijë.
Studimet në atë zonë parashikonin tërmete. Në asnjë rast nuk përcaktohet ora dhe minuta, parashikimi i saktë i kohës është i pamundur deri më tani.
Turqia bën pjesë në Mesdhe, zona aktive ku ndodhin 15% të tërmetet e botës. Turqia është një ndër vendet që krahasohet edhe me tërmetet në Japoni”- tha sizmologu.
Por a duhet të shqetësohen shqiptarët pas tërmetit në Turqi. Sizmologu tha ‘jo’, pasi mekanizmi i pllakave tektonike atje është krejtësisht i ndryshëm nga i Shqipërisë.
“Është mijëra kilometra larg, mekanimi i pllakave atje është krejt i ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Kjo është veçantia e Shqipërisë, deri në 7 ballë mund të arrijë. Mund të jemi të qetë edhe në rastet e tërmeteve të forta në Turqi. Ato nuk kanë ndodhur në Shqipëri. Këtu janë mekanizmat e tjera në varësi të tokës”– tha Ormeni.