Ditët e fundit ka pasur aktivitet të theksuar sizmik në disa zona të Shqipërisë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme u regjistruan edhe lëkundjet më të forta, me magnitudë prej 4.7 ballë të shkallës rihter.
Sizmiologu Edmond Dushi përmes një komunikimi në studion e emisionit “Open”, tha se jemi në kushtet ku kemi një aktivitet sizmik që ka kulmuar mbrëmjen e djeshme dhe është ndjekur me pasgoditje gjatë natës dhe ditës së sotme.
Ai tha se ky është një aktivitet normal pasgoditjesh dhe hyn në tërmetet që shkaktojnë dëme minimale, si plasaritje apo krisje të vogla në banesa. Nga ana tjetër, përmes një lidhjeje me Skype, sizmiologu Rrapo Ormeni, deklaroi se asnjëherë nuk mund të parashikohet një tërmet apo si do vijojë situata.
Ai shtoi se tërmeti i mbrëmjes së djeshme nuk ka lidhje me atë të vitit 2019, që shkaktoi dhjetëra viktima, pasi sipas tij, ai ndodhi në një zonë ku gjenerohen tërmete të intensitetit të tillë.