U hodh paraditen e sotme në Nion të Zvicrës shorti për çerekfinalet e Champions League. Goglat rezervuan përballje interesante, ku spikat dueli mes Realit dhe Çelësit.
Kampionët në fuqi të Çelsit do të përpiqen të mbrojë trofeun përballë Real Madridit në një superndeshje që mund të jetë një tjetër finale e parakohshme për madrilenët e Ançelotit.
Një duel tepër interesant në letër është dhe ai mes Atletikos dhe Mançester Sitit. Pritet të jetë edhe një përballje filozofish. Dy trajnerët karizmatikë, Simeone dhe Pep Guardiola, do të rivalizojnë njëri tjetrin.
Në takimet e tjera Bajern Mynih “peshkoi” një konkurrent të lehtë në letër, pasi në çerekfinale do të ketë përballë Vijarealin që në turin paraardhës shtangu Juventusin. Sfidë e lehtë në letër edhe për Liverpulin e Klop që do të përballet me Benfikën fillimisht në Portugali e më pas në Angli.
Sfidat e vajtjes të fazës çerekfinale do të luhen më datat 5 dhe 6 prill, ndërsa sfidat e kthimit do të luhen një javë më vonë më 12 dhe 13 prill.
Ekipi që do të triumfojë nga sfida Siti-Atletiko do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Çelsi-Real. Ndërsa gjysmëfinalja tjetër do të jetë midis fituesit të ndeshjes Benfika-Liverpul kundër skuadrës që do të kualifikohet nga sfida Vijareal-Bajern.
Ndeshjet e para gjysmëfinale do të zhvillohet 26 dhe 27 prill dhe më 3 dhe 4 maj sfidat e kthimit. Përpara se kompeticioni të kulmojë me finalen e madhe më 28 maj në “Stade de France”.