Karlo Ançeloti ka arritur objektivin minimal që kishte në këtë edicion me Napolin, atë të kalimit të turit në Ligën e Kampioneve. Napolitanët u kualifikuan të dytët në grup pas Liverpulit në një ndeshje ku shumëkush mendonte se do të ishte e fundit për trajnerin në detyrë.
Pas sfidës, të gjithë tifozët në stadium u ngritën në këmbë dhe duartrokitën gjatë teknikun në daljen nga fusha, si vlerësim për punën e tij, në pritje që të mësonin se çfarë do të bëhet me të. Por vetë ai la të kuptohet se nuk e mendon për momentin largimin nga radhët e këtij klubi, nëse nuk e shkarkojnë.
“Nesër do të takohem me presidentin De Laurentis dhe do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Unë shpresoj që të jem prapë këtu të shtunën që t’u përgjigjem pyetjeve tuaja”, ishin fjalët e Ançelotit për “Sky” menjëherë pas përfundimit të sfidës. Në mediat italiane qarkullon prej ditësh lajmi se De Laurentis ka gjetur një akord me Ivan Xhenaro Gatuzon dhe do të bëjë ish-mesfushorin e Milanit trajnerin e ardhshëm të skuadrës së tij.