Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria, kjo para se Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e tij. Dyshohet se ish-zvkryeministri është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë, të premten paradite (7 korrik 2023), pikërisht pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit, shkresën për arrestimin.
Zëri i Amerikës shkruan se më pas Ahmetaj kishte prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur. Sipas Zërit të Amerikës, nga verifikimet e sinjalit të celularit të Ahmetajt, rezulton se momenti i fundit i vendndodhjes të ketë qenë Kanadaja.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish sot, pasi një ditë më parë mbledhja u shty me kërkesë të avokatit të Ahmetajt, i cili kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen prej 400 faqesh. Në mbledhje pati debate mes opozitës dhe mazhorancës, pasi PD kërkoi që mbledhja të mbahej me dyer të hapura.
Kërkesa erdhi nga deputeti Ervin Salinaji, por Ermonela Felaj refuzoi, në referim edhe të kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani që kishte kërkuar ruajtjen e sekretit hetimor. Deputeti i opozitës, ka akuzuar Felajn për konflikt interesi, duke pretenduar se ajo është pjesë e dosjes hetimore të SPAK.