Me rastin e 104-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, rruga “Myslym Shyri”, e cila është riparuar së fundi nga Bashkia e Tiranës, u shndërrua në një zonë pedonale me aktivitete te shumta për qytetarët.
“Gëzuar 104-vjetorin, ditëlindjen e Tironës sonë. Makinat janë në funksion të njerëzve, jo njerëzit në funksion të makinave. Ndaj, në qoftë se komuniteti është dakord, ne duam që ta bëjmë më shpesh këtë aktivitet, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në rrugë të tjera. Nëse komuniteti është dakord, ne mund ta bëjmë njëherë në muaj, ndoshta një herë në dy javë, por unë besoj t’i japim qytetit disa hapësira, të oksigjenohemi, t’i pastrohen rrugët”, tha Erion Veliaj.
Sipas Veliajt, ky 104-vjetor e gjen Tiranën në ditët e saj më të mira.
“Sot jemi në momentin tonë më të mirë. Ka ende shumë punë për të bërë, por sot Tirana nuk është e panjohur, jo vetëm për ne, por për këdo që pyet në Europë e njeh, sepse ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë, Kryeqyteti Europian i Sporteve, këtë vit drejtojmë të gjitha bashkitë e Ballkanit me Presidencën e B40-ës, kurse vitin tjetër jemi shumë krenarë sepse Tirona jonë do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”.
Duke u ndalur tek investimi në rrugën “Myslym Shyri”, Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës synon edhe rehabilitimin e fasadave të pallateve në këtë zonë.