Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e shtetasit I.D., i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Sipas prokurorisë nga hetimet, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani për veprat penale “Trafik i lëndëve narkotike” dhe “Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve”.
“Nga të dhënat rezultoi se kjo veprimtari kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohë krahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme. Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e subjektit në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari kjo që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare. Në analizën financiare të detajuar vërehet se vlera totale e të ardhurave të faktuara të shtetasit I.D dhe familjarëve të tij është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera nga ky shtetas dhe familjarët e tij dhe dyshohet se vjen nga veprimtaria kriminale”, njoftoi prokuroria.
Prokuroria nënvizoi se arriti në përfundimin se shtetasi I.D dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme për të cilat kërkon konfiskimin si më poshtë: Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall-Herr Tiranë; Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe 2 “poste parkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate + 1 kat nën tokë, në rrugën “Bulevardi Blu-Kamëz”.
