Mafia shqiptare ka fituar terren në shumë vende të Evropës, veçanërisht në Francë, Gjermani, Belgjikë dhe së fundmi edhe në Luksemburg. Sipas mediave luksemburgase fakti që mafia shqiptare është aktive në këtë vend nuk ka qenë sekret por ka rënë në sy gjithnjë e më shumë vitet e fundit.
Megjithëse nuk është në ato nivele që paraqitet në Bruksel dhe Antwerp, prania e organizatave kriminale shqiptare në nivel ndërkombëtar tregon se Luksemburgu është pjesë e rrjetit të tyre.
Trafikantët shqiptarë të drogës përdorin rrugën ballkanike e cila konsiderohet si një nga rrugët kryesore të transportit të kokainës, heroinës dhe marijuanës nga Amerika Latine për në Evropën Perëndimore.
Ata e furnizojnë Evropën me kokainë kryesisht nëpërmjet kontejnerëve në portet kryesore. Trafiku i drogës dominohet nga strukturat tradicionale mafioze, si ato në Shqipëri apo “Ndrangheta kalabreze”, e cila prej vitesh është e vendosur edhe në Luksemburg.
Duke iu referuar këtij organizimi të mafias shqiptare, ekspertët theksojnë se kjo mafie është e ardhmja e strukturave mafioze. Sipas ekspertëve, dega shqiptare aktualisht po riorganizohet më shpejt dhe për rrjedhojë po zgjeron me shpejtësi zonën e saj të ndikimit në vende si Belgjika, Gjermania, Franca dhe Luksemburgu. Policia federale belge ia atribuoi këtë faktit se grupet shqiptare falë disiplinës, besueshmërisë dhe profesionalizmit të tyre, lidhen veçanërisht më shpejt me organizata të tjera kriminale.