Një grup trafikantësh të qenieve njerëzore kanë pasur shkëmbim zjarri me policinë në kufirin Shqipëri-Kosovë, pasi u pikasën nga uniformat blu, teksa po transportonin emigrantë nga vendet e treta drejt Bashkimit Europian. Grupi i strukturuar kriminal i përbërë nga sirianë dhe algjerianë u lokalizua nga policia në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth trafikantëve të klandestinëve që qëlluan me armë drejt efektivëve nga 50-100 metra largësi. Për personin e shpallur në kërkim, thotë se është personi kyç dhe e njohin pasi ka qenë i arrestuar edhe më parë.
“Personat e dyshuar kanë parë në policinë dhe kanë gjuajtur në vijën kufitare, distanca 50-100 metra. Kanë pasur gjuajtje nga armë të ndryshme. Kanë qenë grup i organizuar. Personi i shpallur në kërkim ka qenë i proceduar më parë nga policia shqiptare dhe kosovare, si dhe ka qenë i arrestuar.
Personat që kanë qenë duke ardhur, në momentin e takimit vizual me policinë e Kosovës, janë kthyer nga policia shqiptare, ndaj të cilëve kanë gjuajtur. Në pamundësi për t’u futur në Kosovë e për t’u kthyer mbrapa kanë përdorur gjuajtjet për të shpëtuar. Në momentin e parë janë ndaluar 3 persona nga ana e policisë së Shqipërisë. 4 të tjerë ikën në pjesën e sipërme, në atë të vështirë malore, është krehur tereni në të dyja anët. Në pjesën e Shqipërisë kanë qenë të përfshira të gjitha njësitë. Më vonë nga policia shqiptare kemi marrë konfirmimin se janë arrestuar dhe 3 të tjerë. Ne nuk kemi gjuajtur. Vetëm ata kanë gjuajtur.
Me fenomenin e trafikimit me emigrantë, gjatë viteve të fundit jemi ballafaquar me disa raste por jo të jetë gjuajtur ndaj nesh. Duke nisur nga viti i kaluar, përforcimi nga policia shqiptare dhe policia jonë kanë shkaktuar te kontrabanduesit një formë ngritje të rrezikshmërisë ndaj nesh. Kjo ka ndodhur vitin e kaluar por aty ishte diçka mes tyre, jo gjuajtje ndaj policisë. Është qëlluar ndaj nesh por fatmirësisht nuk ka të lënduar”, tha Latif Hoxha, shef i sektorit të operatores për mbikëqyrjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.