Kapiteni i superjahtit “Bayesian” që u fundos në brigjet e Palermos, duke lënë pas 7 viktima, është marrë në pyetje nga prokurorët që po hetojnë vdekjen e tyre. Superjahti me flamur britanik u mbyt në orët e para të së hënës së kaluar pasi u godit nga një tornado dhe një kërkim pesë ditor u krye për të gjetur trupat e pajetë të të zhdukurve.
Manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch, vajza e tij Hannah, kryetari i “Morgan Stanley”, Jonathan Bloomer, gruaja e tij Judy, avokati amerikan Chris Morvillo, gruaja e tij Neda dhe shefi i kuzhinës së jahtit Recaldo Thomas, ishin shtatë viktimat nga incidenti.
Kapiteni James Cutfield dhe 14 të tjerë ia dolën të shpëtonin pasi jahti u mbyt ndërsa ishte ankoruar në brigjet e Porticello, në Siçili. Burime nga zyra e prokurorit vendas i thanë Sky News se kapiteni 51-vjeçar me origjinë nga Zelanda e Re është nën hetim për akuzat e mundshme të vrasjes nga pakujdesia dhe mbytjes së anijes.
Të qenit nën hetim nuk e bën atë autor me faj, por mund të nënkuptojë që Cutfield do t’i ndalohet të largohet nga vendi, edhe pse një urdhër i tillë ende nuk është dhënë.
Lajmi për kapitenin nën hetim u raportua fillimisht nga gazetat italiane, La Repubblica dhe Il Corriere della Sera. Të qenit nën hetim në Itali do të thotë se autoritetet do të marrin në pyetje kapitenin dhe do të vlerësojnë provat përpara se të vendosin nëse ai duhet të ndiqet penalisht apo jo.