Trajneri i moldavëve, Serghei Clescenco artikuloi vetëm fjalë të mira për skuadrën e tij, ndonëse mbrëmë barazoi 1-1 ndaj Shqipërisë.
“Nuk fituam, por luajtëm me një energji të jashtëzakonshme dhe dhamë më të mirën tonë në fushë. Kjo do të thotë se fitorja do të vijë në ndeshjen e radhës. Sigurisht që u bë më e vështirë pas penalltisë së Shqipërisë, por në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë se në të parën. Djemtë dhanë gjithçka kishin, u jam shumë mirënjohës. Skuadra ishte e vendosur për fitore, një gjë e tillë u dallua në pjesën e dytë. Shqipëria? Ata nuk krijuan aq sa ne në pjesën e dytë. E pranoj, Shqipëria na vuri në vështirësi me disa kundërsulme të shpejta, por rastet më të pastra i kishim ne. Nëse do të kishim patur pak më shumë fat, do të kishim shënuar edhe golin e dytë”, u shpreh ai.
Moldavia është vetëm një fitore larg arritjes në Euro 2024. Mjafton një sukses ndaj Çekisë në aktin e fundit kualifikues, për të prerë biletën për në Gjermani.