Të gjithë e dimë se Aleksandar Veselinoviç ka ardhur te Partizani jo për të zënë vendin vakant të lënë pas largimit të Orges Shehit, por për të rregulluar defektet dhe për ta forcuar këtë skuadër që drejtuesit i kanë vënë në dispozicion. Edhe vetë trajneri e ka pranuar se ka marrë një skuadër ku gjërat nuk shkojnë në perfeksion, por ajo që u vu re ishte fakti se nuk preferoi të “qahej”. Le t’i marrim një nga një “hallet” e Veselinoviç te ky Partizan, i ndryshuar shumë gjatë verës.
MBROJTJA – Loja mbrojtëse e ekipit nuk funksionoi në Europë me Orges Shehin në stol dhe nuk e bëri këtë as me Abilaliajn në dy ndeshjet e para të Kategorisë Superiore. Në pesë nga gjashtë ndeshje në total gjatë këtij edicioni të kuqtë kanë pësuar të paktën një gol. Qirko e ka mbajtur portën e pastër vetëm në barazimin 0-0 kundër Iberias, e cila më së shumti u kujdes të ruante fitoren 2-0 të ndeshjes së parë. Të kuqtë kanë 2 fitore, 2 barazime dhe po aq humbje.
SULMI – Mbrojtja pëson gola, por nga ana tjetër edhe sulmuesit nuk janë në formë të mirë. Të vetmit që kanë shënuar në këto gjashtë ndeshje janë Cara dhe Keko me nga një gol kundër Marsaslokut. Në tre sfida kundër Iberias dhe Vllaznisë të kuqtë nuk kanë realizuar dot, teksa kundër Skënderbeut e zgjidhën dy mesfushorë, Rrapaj dhe Mehmeti. Sulmuesit mesa duket kanë nevojë për një trajtim ndryshe.
TË RINJ – Partizani është ekip i ri. Kjo ka avantazhe, por edhe disavantazhe. Në ekip aktualisht janë mbi 20 lojtarë dhe vetëm tre prej tyre janë mbi 30 vjeç. Bëhet fjalë për kapitenin Hoxha (36), Zguron (31) dhe Taipin (31). Në dy ndeshjet e para ka luajtur vetëm Zguro, por edhe ai nuk tregoi pjekurinë e një veterani, pasi u ndëshkua me të kuq. E gjithë pjesa tjetër e skuadrës janë djem 25 vjeç ose më të rinj, çka dëshmon njëfarë mungese të pjekurisë. Kjo mund të kthehet kundër në rast se Veselinoviç nuk punon për t’i ndërtuar skuadrës një mentalitet “të hekurt” dhe fitues, gjë që për momentin nuk e ka me shumicë.
LIDERSHIPI – Me Alban Hoxhën në plan të dytë dhe Muratajn e larguar, Tedi Carës i ka kaluar shiriti i kapitenit, me kavajasin, që tashmë do të duhet të marrë një detyrë më shumë gjatë lojës. Veselinoviçit do t’i duhet që të punojë për të krijuar liderë të rinj në ekip pas ikjes së emrave si Sota, Atanaskoski, Maget apo Murataj. Të ardhurit nga merkatoja nuk duken në gjendje ta bëjnë këtë, të paktën për momentin.