Në mesin e 6 mijë punonjësve të Bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama nga sheshi ”Skënderbej” foli për transformimin e kryeqytetit nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Rama tha se ai e nxorri nga koma, kurse Veliaj bëri që Tirana të vrapojë.
”Asnjë buf kënete dhe as ndonjë specie tjetër kënetë nuk e mbulon dot diellin e transformimit kolosal të Tiranës sonë, ku unë e nxora nga koma dhe e ngrita në këmbë, dhe Lali Eri e bëri të vrapojë dhe të kthehet në një destinacion turistik, ky qytet nuk do ishte dot kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë të gjithë”,-tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama tha se nuk i takon atij të thotë nëse Erion Veliaj është fajtor ose jo. Derisa çështja e tij të marrë drejtim, Rama tha se vëmendja e tij për Tiranën do jetë e pandërprerë. Kryeministria u shpreh se uron që Veliajt t’i japin të drejtën e një gjyqi dinjitoz.
”Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor. Pavarësisht se ca mendojmë ne, barra ime është që në këtë detyrë të qëndroj mbi opinionin tim dhe t’ia lë drejtësisë të ndajë këtë dilemë, duke mbështetur pavarësinë e organeve të drejtësisë. Barra juaj e përbashkët është që makineria e bashkisë së Tiranës të mos fiket as një minutë po të xhirojë 24 orë në të gjitha drejtimet. Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë. Uroj dhe dua të besoj akoma që përtej asaj çka mendojmë për fajësinë e tij, organet e drejtësisë do ia japin të drejtën më elementare të një gjyqi dinjitoz duke i dhënë fund praktikave brutale të prangave pa gjyq”.