Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova deklaroi se nuk pret që administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndikojë në punën e kësaj gjykate. Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trendafilova tha se “askush, asnjëherë, nuk ka provuar të ndërhyjë në punën tonë”. Ajo theksoi se fundi i Dhomave të Specializuara në Hagë do të ndodhë vetëm kur rastet të përmbyllen.
Ndërkohë, bëri të ditur se në prill të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë çështja e prokurorisë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve dhe t’i hapet rruga çështjes së mbrojtjes. Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës Speciale theksoi se janë 43 dëshmitarë që prokuroria ka planifikuar t’i dëgjojë, shkruan KosovaPress.
Gjatë informimit të mediave mbi zhvillimet e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, kryetarja e kësaj gjykate ka folur për procedurën gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kryetarja e Gjykatës Speciale tha se janë bërë hapa për të intensifikuar ritmin e procedurave dhe për të përshpejtuar ato.
Ish i dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell kishte kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sipas tij përdor “akuza të sajuara nga Jack Smith” kundër krerëve të UÇK-së.
Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trendafilova nuk pret që do të përfshihet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Trendafilova u pyet edhe për raportet për ish-prokurorin Jack Smith, dhe “se ai ishte i korruptuar dhe kishte sjellë dëshmitarë për Thaçin dhe te tjerët. Kryetarja e Gjykatës Speciale deklaroi se “ai është shtetas i Shteteve të Bashkuara dhe besoj se do të marrin masa”.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova mohoi të ketë dëgjuar më parë emrin e Enver Sekiraqës, kur u pyet se a është marrë në pyetje si dëshmitar.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.