Nga Enver Kushi
Unë nuk dua ta paraqes veten si kryemiku i Moikomit, pavarësisht në miqësinë tonë të gjatë, fjala “mik” është përtej kuptimit të kësaj fjale. Dua të nënvizoj një të veçantë në këtë miqësi: letërkëmbim me të dhe fatin që jo vetëm i kam ruajtur, por që i gjeta javën e katërt të karantinës, kur ishim mbyllur “në shpellat tona”, do të thonte Franc Kafka. Po sistemoja arkivin tim modest, kur në një dosje të vjetër kartoni me ngjyrë gri të hapur, ishin ato: letrat e Moikomit. E hapa kapakun e dosjes gri dhe ndjeva menjëherë një aromë të çuditshme vitesh dhe kohërash. Pastaj i lexova një nga një, duke dëgjuar mes rreshtave të një shkrimi si prej një dore murgu erudit, zërin e Moikimit që vinte nga muaj, stinë dhe vite të ndryshme. Ishin 25 letra, që fillojnë nga janari i vitit 1972 deri me 5 prill 1973, ndërpriten në këtë muaj, sepse Moikomi i dënuar nga Pleniumi IV, e sollën mësues në shkollën e mesme të Rrogozhinës, për të rifilluar më 12 prill 1976 dhe mbyllur me 4 letrat e fundit: 5 tetor 1996-10 qershor 1997, kur ai, bashkë me Lidën, Arnisën, Kleitën dhe Epidamnin, ishin në Uashington DC, për studime.
Nëse do të zbërthenim kuptimet fillestare të fjalëve letër, letërkëmbim apo komunikim, do të nënvizoja “fletë ku shkruajmë diçka dhe i a dërgojmë dikujt larg nesh, këmbim i letrave me dikë, hyj në lidhje me dikë etj. etj.
Sot në kohët moderne të globalizmit dhe revolucionit të paparë të internetit dhe rrjeteve sociale, kuptimet e mësipërme të fjalëve letër, letërkëmbim etj. kanë dalë jashtë mode, duke e çuar njeriun në shkretëtirë shpirtërore. Letrat e shkruara nga duart njerëzore, kanë një peshë tjetër, ndërsa ato që shkruhen nga mëndje krijuese, siç ishte Moikomi, ku bëhen bashkë njeriu dhe poeti, njeriu dhe shkrimtari, njeriu dhe eruditi i rrallë, pesha e tyre e shumëfishtë, do të thoja sa shpirtërore, aq edhe si kronik, i kalon këto caqe. Thelbin e kësaj Moikom Zeqo pak a shumë, e shpreh në letrën që më ka dërguar në datën 15 maj 1972:
“Lexoja një ditë vargje nga folklori. (Shpesh folklori është si ata gurët që duken të zakonshëm, por që kanë minerale të jashtëzakonshëm). Aty letrat krahasohen me pëllumbat. Mendoj se populli s’ka patur parasysh vetëm ngjyrën e bardhë . . . “
Dhe përtej fjalëve, gati-gati të njejta, që përsëriten në çdo letër si: “I dashur Enver!, Veri!, I dashur Veri!, Veri!, Të përshëndes! Apo thjeshtë Veri”, shkruar, siç thashë më lartë, me një kaligrafi të çuditshme, ndjen zërin njerëzor, shpirtin e madh të njeriut dhe mikut, por edhe atmosferën e kohës. Ato janë shkruar herë-herë me nxitim, herë-herë në qetësi, në zyrat e redaksisë “Drita”, restorantet e Tiranës, shtëpinë e vjetër në Durrës, nga ballkoni i së cilës, dukej muri i vjetër rrethues i Durrësit, shtëpinë e re, nga ku dukej deti e stacioni i trenit dhe trenat e pasagjerëve e deri në Uashingtonin e largët. Dhe kudo në këto letra me hapësira kohore dhe gjeografike, është Moikomi ynë apo Tovi ynë, edhe si kronikan, duke dhënë një informacion për Tiranën dhe atmosferën në kryeqytet.
Të një natyre tjetër, e kam fjalën jo vetëm për informacionin e gjerë që japin, por për idetë që shpalosin, këndveshtrimin “moikomian” të realitetit të trazuar shqiptar në vitet 1996-1997, kanë letrat që më ka dërguar nga Uashingtoni. Nuk do të zgjatem në interpretimin e këtyre letrave, por edhe këtu kemi Moikomin që “shkruaj papushim”, “kam shkruar edhe 50 poezitë e para direkt në anglisht”, “Veri, nuk di a doli nga shtypi (Toena) libri, që kam shkruar unë për Dritëronë?”. “Shuteriqi më shkruante një letër për një takim që pati me ty. . .”
Këto letra që po i publikojmë në të përditshmen “Dita”, për lexuesit e shumtë të saj, nuk kanë nevojë për komente.
1996, 5 tetor Washington D.C.
Të dashur Neta dhe Veri,
E pabesueshme: jemi në dy hemisfera të ndryshme. Sa larg, sa larg!
Kur te ju lind Dielli, këtu perëndon, në të kundërtën, kur këtu lind Dielli te ju perëndon. Mua më kujtohet një poezi delikate dhe filozofike e Horhe Luis Borhesit, i cili shkruan, se për persianin dhe hindianin e lashtë nuk ka atë kuptim fjala “Lindje”, që ka për europianin. Kahja e rrotullimit të Tokës ka përcaktuar ndoshta konvencionalisht nocionet gjeografike orientuese “Lindje” dhe “Perëndim”. Për këtë mos kini asnjë dyshim. Vetë adresa e planetit Tokë në Universin e paskajshëm nuk ka asnjë kuptim, sepse çdo pikë në hapësirë është qendra e një sfere të pafund, një pafundësi pikash janë një pafundësi qendrash. Një adresë është një mungesë adrese, çdo gjë, pra, është relative. Vetkuptohet, edhe largësitë dhe hapësirat ndarëse. Ndonëse mendoj; nuk ka hapësira ndarëse, po ka vetëm kohë ndarëse, sepse kohët e ndryshme i ndajnë njerëzit më shumë, se sa hapësirat. Një kozmonaut, i sapokthyer nga Hëna, në një muze sheh fare pranë kafkën e Homo Sapensis, midis njeriut dhe majmunit, ajo që i dallon nuk është hapësira segmentore, po koha, ose kohët e ndryshme.
Kjo do të thotë, se unë dhe familja ime në Washington dhe ju në Tiranë nuk kemi ndonjë dallim, sepse jetojmë në kohë të njëjtë, ndonëse në hapësira të ndryshme.
Ju kujtoj përherë. Ju lutem mos më harroni!
E di, që jeni mirë me shëndet, ndonëse nuk mund të shpëtoni dot nga streset e ditës, të vetë kohës.
Këtu, në Ëashington jam vendosur mirë, me shtëpi; fëmijët ndjekin shkollat, kurse unë dhe Lida shkojmë në Dumbarton Daks, Biblioteka e Universitetit të famshëm të Havardit (ku ka studiuar edhe Konica, edhe Noli), që është biblioteka më e specializuar ndoshta në botë për bizantologjinë. Mos harroni dhe arësyetoni, se bizantizmi dhe ballkanizmi janë shpesh e njëjta materje kulturore, akoma dhe sot. Pa bizantizmin nuk mund të spjegohet historia jonë e sfilitur dhe tragjike.
Unë pres të më botohet libri me poezi, shkruaj papushim, rikujtoj çdo gjë dhe vuaj nga malli, nga nostalgjia për Shqipërinë dhe miqtë si Ju. Peizazhi është mahnitës, plot gjelbërim, deri dhe kaprojtë dhe ketrat e zbutur lëvizin rreth e qark nëpër bar.
Veri, nuk di a doli nga shtypi (TOENA) libri, që kam shkruar unë për Dritëronë?
Shumë të fala nga njerëzit e mi: Lida, Epidamni, Kleitia dhe Arnisa!
Dërgojini dhe ju të fala gjithë të njohurve! Veri, mos harro Llazar Veron dhe Viktor Sharrën.
Më kupto: sa e rëndë megjithatë është të detyrohesh të ikësh nga Shqipëria!
Ju përqafoj
Moikom Z.
P.S. më shkruani!
Washington D.C. 02.01.1997
Të dashur Neta dhe Veri!
Në zgrib të mërzisë ju kujtoj juve me mall të shumëfishtë – sepse vetë simboli i atdheut të largët lidhet natyrshëm dhe shpirtërisht me ju – edhe me ju! Së pari, përtej mërzisë, ju uroj me gjithë zemër: Gëzuar Vitin e Ri 1997! Qoftë i bardhë dhe i lumtur për ju!
Ju kam shkruar 2 (dy) letra dhe nuk kam marrë përgjigje – nuk jam i habitur sepse besoj se nuk kanë arritur dot për arsye që i parakuptoj – por unë po bëj edhe një përpjekje sizifiane e po ju dërgoj letrën e tretë!
Veri, nëse ka dalë libri im për Dritëronë më shkruaj mendimin tënd! Mos harro! Unë po shkruaj këtu në Ë.D.C. një libër shkencor për mitologjinë – një libër “me djersë të madhe”. Kam shkruar edhe 50 poezitë e para direkt në anglisht. Lida po punon mirë – fëmijët kanë dalë shkëlqyeshëm me shkollat. Unë vuaj nga vetmia dhe librat janë i vetmi kuptim i jetës time. Po ende s’jam shkëputur nga streset. Veri, nuk e di adresën e Llazarit – jepi të lutem shumë të fala nga unë. Ç’bëhet me Shqipërinë kështu? O zot, le të shpresojmë!
Ju dua shumë
Moikom Z. Lida dhe fëmijët
15.01.1997 W.D.C.
Të dashur Neta dhe Veri,
Ju përqafojmë – qofshi të lumtur përherë – në jetë të jetëve! Është e vërtetë, që zjarret, që kam ndezur në bregdet me Arnisën, Epidamnin dhe Kleitjen ende ndrisin, flakërojnë – këtu në Ëashington në brigjet e lumit Potomak, (emër hindjan i lashtë) bredhim në temperaturën 15 gradë nën zero e një mëngjes të dielë gjetëm befas një dre të zhvatur nga ujqit dhe sjellë nga rrjedha, që nga pyjet rigane – ku dikur këndonte Hajavatha legjendar. Ja hoqa brirët drerit për kujtim – të nesërmen lumi e shtegëtoi larg mes brymave therëse drerin e shkretë – Epidamnit i erdhi shumë keq – qau për drerin – isha gati edhe unë!
Ka rënë këtu dëborë e madhe – kisha vite, mbase, që nga fëminia, që s’kisha parë të tillë dëborë – të çuditshme!
Epidamni dhe Kleitia shkojnë çdo të dielë në parkun e akullt e bëjnë rrëshqitje në akull – si nëpër filma. Arnisa ndjek koncertet e muzikës së dhomës. Unë dhe Lida shohim muzetë dhe mes librave të Dumbarton Oaksit bëhemi përherë e më të menduar.
Këtu, në Amerikë koha ka një sens tjetër – të ndryshëm nga Shqipëria, – tepër intensiv – të tërë nguten në punë si një mekanizëm universal të përsosur. Kurse në Shqipëri ka vdekur puna, puna, thelbi i përparimit, thelbi i moralit, thelbi i çdo gjëje. Pra mekanizmi në Shqipëri është si aeroplani pa benzinë i Dino Çiços. Dikur, Konica ironik e botonte te “Dielli” letrën e Dino Çiços nga Gjirokastra dhe e shoqëronte me një Post Scriptum – sikur ta kishte shkruar vetë Horhe Luis Borhesi.
Veri, jepi të fala Llazar Veros, Ndoc Paplekës – ç’bën Ndoci? – të fala për P.Riston, sidomos për Vath Koreshin – Shuteriqi më shkruante një letër për një takim me të – me ty – të fala për të gjithë shokët e miqtë.
Të fala nga Lida e fëmijët jepi edhe prindërve të tu – si u bë babai tani? – të fala për prindërit e vëllanë e Netës – Neta jepi të fala edhe Lushit – kushërirës time në B.Kombëtare
Ju përqafoj
Moikom Z.
P.S. më shkruani!