Tritan Shehu e cilëson një hap të gabuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për të emëruar në krye të SHISH, Vlora Hysenin.
“Cili është mesazhi politik që do të japë kryeministri. A ka një mesazh? Le të ndahemi dhe të shohim me radhë. Kush mund të jetë mesazhi politik për Kosovën? Së paku është paternalizëm paradoksal për Kosovën. Krijon efektin e kundërt për shtetin e ri të Kosovës. Ndërkohë që Kosova do të forcojë sovranitetin e saj si shtet. Për të qenë realisht në betejat në organizmat ndërkombëtare. Nuk është interesi i Kosovës që të tregojë se është nën ombrellën e Shqipërisë. Vetëm dëmtohet Kosova me veprime të tilla. U bë e njëjta gjë me atë djaloshin që u vendos si Ministër i Jashtëm, një eksperiment i dështuar, siç ishte dhe Ministrja e Arsimit. Pse transmetojmë këto mesazhe negative. Pse kërkojmë të krijojmë idenë se Kosovën e kemi në xhepin tonë? Ai është një shtet i pavarur. Ne bëjmë lojën e Vuçiçit edhe këtu. Ne i japim argumente Vuçiçit. Pse duhet të krijojmë konsullata të përbashkëta me Kosovën jashtë vendit? Ajo duhet t’i ketë të pavarura. Çfarë duam të tregojmë? T’i bëjmë karshillëk qeverisë së Kosovës.”