Përmes një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Turqia deklaroi sot se mirëpret marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gaza, teksa falënderon në veçanti Katarin dhe Egjiptin për përpjekjet ndërmjetësuese.
Turqi i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të sigurojë që Izraeli të përmbushë plotësisht përgjegjësitë e tij dhe nënvizon rëndësinë e zbatimit të të gjitha fazave të marrëveshjes.
Ankaraja përsërit gjithashtu qëndrimin e saj për krijimin e një shteti të pavarur, sovran të Palestinës me vazhdimësi gjeografike, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, duke bërë thirrje që negociatat për këtë qëllim të fillojnë menjëherë.
Më tej në deklaratë theksohet se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme mund të vendosen vetëm duke arritur paqen në Palestinë dhe duke i dhënë fund padrejtësive ndaj popullit palestinez.
“Ne mirëpresim marrëveshjen e armëpushimit të arritur midis Hamasit dhe Izraelit. Ne shprehim mirënjohjen tonë për vendet ndërmjetësuese, veçanërisht Katarin dhe Egjiptin, për përpjekjet e tyre. Në procesin që vijon, është e rëndësishme që të gjitha fazat e marrëveshjes të zbatohen plotësisht, që armëpushimi të bëhet i përhershëm dhe që ndihma humanitare të dërgohet urgjentisht në Gaza.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë që Izraeli të përmbushë përgjegjësitë e tij për këto çështje. Paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Lindjen e Mesme mund të arrihet vetëm duke arritur paqen në Palestinë dhe duke i dhënë fund padrejtësisë kundrejt popullit palestinez.
Negociatat e paqes duhet të fillojnë menjëherë për krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës me vazhdimësi gjeografike, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Turqia do të vazhdojë të mbështesë popullin palestinez në periudhën e ardhshme”, thuhet në deklaratë.