Tërheqja përfundimtare nga boksi duket se nuk do të vijë asnjëherë për Tyson Fury, i cili e ka bërë disa herë dicka të tillë, por vetëm pak kohë më pas ka lajmëruar se do të ngjitet sërish në ring. Këtë gjë do të bëjë edhe tani 37-vjecari, që 1 vit më parë njoftoi se ishte fundi i karrierës së tij. Duket se pauza 12 mujore i ka treguar shtatlartit se ndarja e përjetshme nga boksi nuk mund të ndodhë në këtë pikë, ndaj ka veshur dorezat dhe ka rinisur stërvitjen.
Këtë gjë e ka konfirmuar nëpërmjet postimeve të bëra në rrjetet sociale, ku publikoi me shkrimin: Viti 2026 është viti i rikthimit. Kam qenë larg për njëfarë kohe, por jam kthyer tani, 37 vjeç dhe ende godas me grushte. Nuk ka asgjë më të mirë për të bërë sesa të godasësh burrat me grushte në fytyrë dhe të paguhesh për këtë”, shkruan britaniku.
Ajo cka nuk dihet tani është se kush do të jetë kundërshtari i Gipsy King, pasi në dy ballafaqimet me Oleksandr Usyk doli i humbur, ndërsa një alternativë e mundshme është Anthony Joshua. Ky i fundit mposhti Jake Paul, teksa së fundmi pësoi një dëmtim në aksident me makinë në Nigeri, nga i cili duhet të rikuperohet.
