Familja e të arratisurit nga burgu i Shënkollit, Daut Laze, thonë nuk kanë dijeni se ku ndodhet ai. Ata shprehën se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të. ”Nuk jemi lidhur me djalin, ska telefonuar. Nuk kemi asnjë haberë fare, po të kisha do thosha”, tha nëna e tij.
Daut Laze vuante dënimin në burgun e Shënkollit. Mbrëmjen e 3 shkurtit ai ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve në spitalin e burgut. I dënuari me mjekim të detyruar, ka mundur të iki nga rrethimi i institucionit të posaçëm mjekësor brenda burgut, duke kapërcyer murin. Mungesa u vu re vetëm në orët e para të mëngjesit të 4 shkurtit gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
Analiza e kamerave do të zbulojë nëse në kullat e rojës ka pasur efektivë të sigurisë, apo kanë bërë një sy qorr. Për një analizë të plotë të situatës mbi nivelin e sigurisë në këtë burg, në Shënkoll shkoi edhe Drejtori i Përgjithshme i Burgjeve Klevis Qose.