Një 13-vjeçar që u denoncua i zhdukur, është gjendur i pajetë. Policia thotë se është bërë e mundur dhe nxjerrja e trupit të pajetë nga liqeni i fshatit Shumbat.
Njoftimi i plotë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, mbrëmjen e djeshme, pas kallëzimit nga shtetasi A. S. për humbjen e djalit të vëllait të tij, shtetasit E. S., 13 vjeç, kanë nisur menjëherë kërkimet në zonën e fshatit Shumbat, bazuar në informacionet se ky shtetas ishte parë afër liqenit të këtij fshati.
Pas rreth 2 orësh kërkime, në bashkëpunim me banorët e zonës, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja nga liqeni i fshatit Shumbat, e trupit të pajetë të shtetasit E. S., 13 vjeç.
Nga këqyrja paraprake, në trupin e 13-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas është mbytur aksidentalisht.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.