Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, gjatë një interviste për emisionin “Opinion” u shpreh se samiti i 6 Dhjetorit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor i zhvilluar në Tiranë ishte i organizuar shumë mirë. Ajo foli për marrëveshjen që u firmos ditën e djeshme për roaming.
“Ajo çka është pozitive përsëri është që ky samit kishte disa elementë pak më të ndryshëm sa i përket samiteve të tjera. Edhe kjo marrëveshje që keni tani në insert në ekran është një moment shumë i mirë dhe një arritje konkrete po të kemi parasysh që kemi patur samite për shembull që janë mbyllur edhe pa ngjarje madhore apo një marrëveshje. Marrëveshja e firmosur dje nga disa operatorë të telefonisë celulare është momenti i parë në të cilin ne nisim proçesin e reduktimit të tarifave të telefonisë celulare në roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Që do të thotë që kur ti nesër në një nga udhëtimet e tua të shumta të shkosh në Paris, në Berlin apo në Romë duke filluar nga 1 Tetorit i vitit të ardhshëm do të kesh mundësi që interneti dhe paketa jote e telefonisë të jetë me një ulje drastike…”, tha Bregu.
Sa i përket kësaj marrëveshje, Bregu tha se nuk do të ketë zerim të tarifave menjëherë, por kjo shpresohet që të arrihet deri në vitin 2027.
“Jo. Prandaj them është një proçes dhe një hap. Nuk mund të arrijmë në zerim pa kaluar më parë në reduktim. Dhe po të kemi parasysh që ky është një proçes në të cilin ka negociata me operatorë të telefonisë celulare, por edhe një proçes vetërregullues, që janë biznese private në fund të ditës. Niset njëherë me reduktim për të mbërritur pastaj duke shpresuar që në 2027 ne do të kemi mundësi që të mos kemi asnjë tarifë shtesë. Pra të paguajmë paketat që kemi në vendet tona, të jetë e njëjtë në çdo territor të BE-së. Duke patur parasysh që iu deshën më shumë se 10 vjet për të mbyllur këtë marrëveshje mes vetes Bashkimit Europian, unë prapë them që në një vit kohë, nga momenti kur hyri në fuqi marrëveshja e heqjes së tarifave shtesë për Ballkanin Perëndimor është një hap shumë i rëndësishëm dhe një hap, le të themi, i ndjeshëm përpara”, u shpreh Bregu.