Altin Morina, i cili u arrestua dje pasi u kap me 113 mijë euro në makinën e tij, ka deklaruar se nuk është pjesë e ndonjë grupi kriminal, ndërsa pohon se paratë i ka të gjitha të justifikuara.
Shefi i Stërvitjes në Repartin Special RENEA është duke u hetuar nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
“Paratë janë të justifikuara dhe vijnë nga biznesi. Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, tha Morina.
Sipas Altin Morinës, paratë sapo i kishte marrë nga një mik i tij biznesmen në zonën e Kodrës së Diellit. Policia ka thirrur për verifikim dhe biznesmenin që është përmendur nga efektivi i Forcave Speciale, por emri i tij dhe qëndrimi që ka mbajtur nuk dihen ende.