Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi në automjetin e tij janë gjetur kartmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.
Bëhet me dije se janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas për moskallëzim krimi.
Blutë kanë sekuestruar kartëmonedhat e dyshuara false në cilësinë e provës materiale.
Njoftim:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore për një shtetas që posedonte kartëmonedha false, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “False”.
Në sheshin “Nënë Tereza”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin A. Q. dhe pasagjerë shtetasit D. M. dhe S. Q. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. Q. i janë gjetur kartmonedha euro të prerjeve 100 dhe 200, të dyshuara të falsifikuara (në total 2800 euro), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi S. Q., 20 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Falsikimi i monedhave” dhe “Mashtrimi”, mbetur në tentativë. Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Q., 23 vjeç(vëllai i 20-vjeçarit) dhe D. M., 23 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.