Ministri i Drejtësisë u është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha i cili ka deklaruar më herët gjatë ditës së sotme se në dëshmitë e tyre anëtarët e bandave kanë dhënë emra ministrash dhe deputetesh të PS. Për këtë arsye tha ai po pengohet marrëveshja e ekstradimit me vendet e Beneluksit.
Duke folur nga Parlamenti, Ulsi Manja e pyeti Berishën sesi ka mundësi që informacione të tilla kalojnë për parë nga zyra e kreut të PD-së dhe jo nga ajo e ministrit të Drejtësisë. Po ashtu, ministri tha se me secilën nga vendet e Beneluksit marrëdhëniet Shqipëria e i ka të shkëlqyera.
“Sot nuk ka asnjë pengesë as me Belgjikën, as me Holandën dhe as me Luksemburgun. Madje ky bashkëpunim është në nivelet më të kënaqshme të mundshme. Ekstradimet realizohen mbi bazën e Konventës Europiane mbi ekstradime. Me Belgjikën kemi një marrëveshje dy palëshe. Bashkëpunimi më fushën gjyqësore është edhe në kuadrin e Eurojust.
Kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Nuk ka asnjë kërkesë nga këto tre shtete për të nënshkruar marrëveshje ekstradimi dhe sapo të vijë do e nënshkruajmë. Të tjerat nuk e di se nga i sajoni këto gjëra aq më tepër në një seancë dedikuar zgjedhësve”, tha ai.