Shqipëria do të luajë të mërkurën ndaj Kroacisë ndeshjen e dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” në stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut, në orën 15:00.
Sfida e dytë e kuqezinjve në Europian do të gjykohet nga një trupë arbitrash francezë.
Kryesori i këtij takimi do të jetë arbitri francez, François Letexier, teksa asistentët e tij do të jenë Cyril Mugnier dhe Mehdi Rahmouni. Në rolin e arbitrit të katërt në këtë ndeshje është emëruar Sandro Schärer.
Ndërsa, Willy Delajod do t’i vijë në ndihmë arbitrit kryesor François Letexier nga dhoma e VAR-it.
Shqipëria dhe Kroacia zbresin në fushë me zero pikë dhe dueli shihet si një përballje ‘jetë a vdekje’ për kalimin në raundin e dytë.
Kjo ndeshje do të vulosë fatin e një prej ekipeve për vijimin e rrugëtimit europian.
Ekipi është nisur ditën e sotme drejt Hamburgut nga kampi i stërvitjes në Dortmund.