Pas 6 orësh negociatash, mbrëmjen e së mërkurës, dy kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord për zbatimin e një marrëveshjeje me ndihmë të shefit të diplomacisë së BE-së, Borrell.
“Një fitore të vogël taktike që do të çojë në presion edhe më të madh”, e ka konsideruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Në konferencën për mediat, Vuçiç tha se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar.
Ai konfirmoi se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.
Vuçiç përsëriti se Serbia nuk do ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se zyrtarët serbë nuk duan të diskutojnë për këtë. SHBA-ja ka mirëpritur marrëveshjen e arrirë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të shmangies për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.